Punëtorët e RTK-së kërkojnë shkarkimin e kryetarit të Bordit

Punëtorët e RTK-së kërkojnë shkarkimin e kryetarit të Bordit

361 punëtorë të Radio Televizionit të Kosovës (RTK) kanë nënshkruar peticionin për shkarkimin e kryetarit të Bordit të RTK-së, Besnik Boletini.

Sindikata e transmetuesit publik, RTK njofton se 361 punëtorë të këtij mediumi i janë përgjigjur pozitivisht peticionit të Sindikatave për shkarkimin e kryetarit të Bordit të RTK-së, Besnik Boletini.

Kjo sindikatë ka renditur disa nga ankesat e punonjësve të RTK-së ndaj Boletinit.

“Të punësuarit e RTK-së, të indinjuar thellë me gjuhën denigruese të kryetarit të Bordit të RTK-së Besnik Boletini, të shprehur publikisht përmes ofendimeve e etiketimeve jonjerëzore ndaj tyre, duke përqeshur veshjet e tyre si dhe duke përbuzur angazhimin e tyre profesional; Të shqetësuar për bisedat e tij informative me kandidatet më të poentuara për pozita menaxheriale gjatë konkursit, me qëllim të dekurajimit dhe frikësimit të tyre; përmes këtij PETICIONI të nënshkruar me vullnetin e lirë, kërkojnë: shkarkimin e menjëhershëm të Kryetarit të Bordit të RTK-së, Besnik Boletini”, thuhet në njoftimin e sindikatës.

Më tej thuhet se nga një kopje e peticionit do të ju dërgohet: Kryetarit të Kuvendit, Grupeve Parlamentare si dhe Komisioneve përkatëse.

Related Articles