Të mërkurën do të fillojë procesi i vaksinimit të punonjësve shëndetësorë nga e tërë Kosova me vaksinën e Pfizerit.
Në Kosovë sot kanë arritur 4680 doza të vaksinës antiCOVID të Pfizer/Biontech, pjesë e donacionit nga BE-ja. Për Kosovën nga ky donacion janë paraparë 95 mijë vaksina.
Ministria e Shëndetësisë ka thënë se këto doza do të përdoren për vaksinim të punonjësve shëndetësorë. Një numër i madh i punonjësve shëndetësorë kishte refuzuar të merrte vaksinën e AstraZenencas.
Procesi i vaksinimit do të mbahet në sallën “1 Tetori” në Prishtinë, duke filluar nga ora 10:00.
“Me rekomandim të Komitetit për vaksinim kundër COVID-19, këto doza të vaksinës Pfizer/Biontech do të përdoren për vaksinimin e punëtorëve shëndetësor, të cilët nuk kanë mundur të vaksinohen në fazën e parë të vaksinimit për arsye shëndetësore për çka duhet të kenë dëshmi. Vaksinimi do të rifillojë nesër, e mërkurë 5 maj 2021 me punëtorët shëndetësor nga e tërë Kosova, të cilët do të vaksinohen në sallën “1 Tetori” në Prishtinë, duke filluar nga ora 10:00”, thuhet në njoftimin e MSH-së.