Punonte si kuzhinier picash në Francë, arrestohet pas 16 vitesh në arrati anëtari i mafisë italiane

Punonte si kuzhinier picash në Francë, arrestohet pas 16 vitesh në arrati anëtari i mafisë italiane

Një vrasës italian i dënuar me burgim të përjetshëm, që besohet se i përket një prej organizatave më të fuqishme mafioze të vendit, është gjetur duke punuar si kuzhinier picash dhe është arrestuar pas 16 vitesh në arrati.

Edgardo Greco, 63 vjeç, dyshohet se i përket organizatës famëkeqe ‘Ndrangheta’, një organizatë e fuqishme mafioze në Kalabri, në Italinë jugore.

Interpoli tha se ai u arrestua të enjten në qytetin francez të Saint-Etienne, ku kishte drejtuar një restorant italian me një pseudonim, sipas prokurorëve francezë.

I përshkruar si një “i arratisur i rrezikshëm”, Greco kërkohej në Itali për të vuajtur një dënim të përjetshëm për vrasjen e Stefano dhe Giuseppe Bartolomeo, tha Interpoli në një deklaratë.

Ai u akuzua gjithashtu për tentativën e vrasjes së Emiliano Mosciaro “si pjesë e një lufte mafioze midis bandave Pino Sena dhe Perna Pranno që shënuan fillimin e viteve 1990”.

Vëllezërit Bartolomeo u rrahën për vdekje me shufra hekuri në një magazinë peshku në janar 1991, tha policia italiane. Trupat e tyre nuk u gjetën kurrë dhe besohet se janë tretur në acid.

Në Saint-Etienne në qershor 2021, Greco u bë pronar i një restoranti italian të quajtur Caffe Rossini Ristorante, duke e drejtuar atë deri në nëntor 2021, thanë prokurorët francezë.

Sipas dokumenteve, ai ka përdorur emrin Paolo Dimitrio dhe ka punuar gjithashtu në restorante të tjera italiane në qytet.

Greco gjithashtu punonte mbrëmjeve në një pica restorant nën emrin e tij të supozuar, sipas mediave italiane.

Pas arrestimit të tij në orët e para të mëngjesit, ai doli përpara një gjyqtari hetues në Lion, i cili e njoftoi zyrtarisht për urdhër-arrestin e Italisë, thanë prokurorët. Më pas ai u vendos në paraburgim.

Ndrangheta konsiderohej grupi mafioz më i gjerë dhe më i fuqishëm i Italisë, që vepronte në mbarë botën dhe me lidhje të forta me tregtinë e kokainës që shkonte në Evropë nga Amerika e Jugut.

Arrestimi i Grekos erdhi një javë pasi policia italiane tha se kishte çmontuar një unazë mafioze Ndrangheta që dominonte një zonë të madhe të Kalabrisë jugore dhe sekuestroi asete që i kalonin 250 milionë euro, raporton Guardian.

56 persona, shumë prej tyre tashmë në burg, u vunë nën hetim penal për një sërë krimesh, duke përfshirë konspiracion të lidhur me mafien, zhvatje, rrëmbim, ryshfet dhe posedim armësh, thanë policia dhe prokurorët.

Muajin e kaluar, policia italiane arrestoi një nga bosët më famëkeq të mafies siciliane të Cosa Nostra, Matteo Messina Denaro, i cili ishte në arrati prej 30 vitesh.

60-vjeçari u arrestua pasi vizitoi një klinikë shëndetësore ku po trajtohej në kryeqytetin sicilian, Palermo.

Related Articles