Presidenti rus, Vladimir Putin, ka zhvilluar sot një bisedë telefonike me homologun e tij francez, Emmanuel Macron, ku kanë diskutuar për zhvillimet më të fundit në Ukrainë dhe situatën e tensionuar në Lindjen e Mesme, në kontekstin e konfliktit Iran-Izrael dhe sulmeve të kryera nga SHBA ndaj objekteve iraniane, njofton Kremlini.
Në komunikatën zyrtare të presidencës ruse thuhet se Putin e konsideron luftën në Ukrainë si pasojë të drejtpërdrejtë të politikave të vendeve perëndimore.
“Konflikti ukrainas është një pasojë e drejtpërdrejtë e politikës së vendeve perëndimore, të cilat për vite me radhë injoruan interesat e sigurisë së Rusisë, krijuan një fortesë anti-ruse në Ukrainë dhe toleruan shkeljen e të drejtave të rusishtfolësve”, deklaroi ai sipas Kremlinit.
Putin theksoi se çdo zgjidhje e mundshme duhet të jetë gjithëpërfshirëse dhe të trajtojë shkaqet rrënjësore të konfliktit, duke u bazuar në realitetin aktual në terren. Ai gjithashtu kritikoi Perëndimin për mbështetjen ushtarake që po i ofrohet Ukrainës.
“Vendet perëndimore po ndjekin një politikë të zgjatjes së operacioneve ushtarake, duke e ushqyer regjimin e Kievit me armë të ndryshme moderne”, u shpreh presidenti rus, sipas raportimeve të agjencisë TASS.
Në pjesën tjetër të bisedës, liderët u ndalën te tensionet në rritje në Lindjen e Mesme, duke theksuar nevojën për zgjidhje diplomatike dhe për respektimin e të drejtave ndërkombëtare.
Të dy presidentët theksuan rëndësinë e të drejtës së Iranit për të zhvilluar energji bërthamore për qëllime paqësore, si dhe domosdoshmërinë që Teherani të respektojë detyrimet e tij sipas Traktatit të Mospërhapjes Bërthamore dhe të bashkëpunojë me Agjencinë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (IAEA).