Rusia ndryshon emrin, jo më ‘operacion special ushtarak’ për luftën në Ukrainë.
Pas referendumit në Ukrainë, Rusia duket se ka në plan të ndryshojë emrin e luftës në Ukrainë.
‘Operacioni special ushtarak mund të bëhet një operacion anti-terrorist pas referendumeve të fundit’ – tha kreu aktual i Krimesë, Sergey Aksyonov.
Operacioni ushtarak special do të bëhet efektivisht një operacion anti-terrorist në rast të pranimit të rajoneve Zaporozhzhias dhe Khersonit në Rusi, deklaroi ai.
“Një pikë e caktuar pa kthim do të kalohet së shpejti. Marrja e një statusi të ri për territoret e çliruara do t’i japë fund pasigurisë. Ato do të bëhen rajone të plota të Federatës Ruse. Dhe ne nuk do të kryejmë efektivisht një operacion special, por një operacion anti-terrorist në territoret tona”, tha Aksyonov në kanalin e tij në Telegram këtë hënën.
Duke folur për referendumet në Donbas dhe territoret e çliruara, ai shprehu gjithashtu mendimin e tij se “populli i [këtyre] rajoneve ka vendosur prej kohësh për zgjedhjen e tyre legjitime”.
Referendumet për pranimin në Rusi të këtyre rajoneve mbaruan ditën e djeshme pasi u zhvilluan për 4 ditë nga data 23-27 shtator, raporton euronews.
Ditën e premte, presidenti rus Vladimir Putin pritet të dalë në një deklaratë publike gjatë të cilës do të adresojë zyrtarisht rezultatet e referendumeve si dhe drejtimin që do të marri Rusia në vazhdim.
Në Sheshin e Kuq të Moskës, është ngritur një tribunë me ekrane gjigante, video, e billborde që lexojnë “Donetsk, Luhansk, Zaporizhzhia, Kherson – Rusi!”
Putini pritet të shpallë aneksimin e territorit të Ukrainës brenda ditës së premte, vetëm disa ditë pasi ai kërcënoi se pas pranimit të këtyre rajoneve si pjesë e ‘Nënës Rusi’, ai do të mbronte Rusinë me armë bërthamore nëse do të ishte e nevojshme.
“Rezultatet janë të qarta. Mirë se vini në shtëpi, në Rusi!”, tha Dmitry Medvedev, ish-presidenti që shërben si zëvendëskryetar i Këshillit të Sigurimit të Rusisë, në Telegram, pas publikimit të rezultateve ditën e sotme.
Autoritetet e mbështetura nga Rusia pretendojnë se i kanë kryer referendumet gjatë 5 ditëve në territorin që përbën rreth 15 për qind të Ukrainës.
Disa nga banorët që u arratisën në territoret e kontrolluara nga ukrainasit ditët e fundit, kanë treguar për njerëz që janë detyruar të shënojnë fletët e votimit në rrugë nga zyrtarë të pajisur me armë edhe pse e kundërta pretendohet nga pala pro-ruse.