Fundi i luftës në Ukrainë do të vijë me tërheqjen e Vladimir Putinit nga posti i tij. Kështu mendon Abbas Gallyamov, personi që i shkruante dikur fjalimet Presidentit të Rusisë.
Ai thekson se Putin do të japë dorëheqjen këtë vit dhe do të emërojë pasardhësin e tij, në mënyrë që të shmangë një fund tragjik të mandatit të tij.
Në kanalin YouTube “Khodorkovsky Live”, Gallyamov pohon se Putin do ia dorëzojë pushtetin dikujt që do të negociojë me Ukrainën për paqen dhe do të rivendosë marrëdhëniet me Perëndimin. Gjithashtu, thekson se Putin nuk do të paraqitet në zgjedhjet e ardhshme në Rusi, që do të mbahen në vitin 2024.
Sipas Gallyamov, Putin ka frikë se do të dështojë në këto zgjedhje, prandaj do të bëjë vetë një hap pas. Zëvendësit e mundshëm të Putinit, sipas analistit politik, janë 3: Sergey Sobyanin, kryebashkiak i Moskës; kryeministri Mikhail Mishustin dhe Dmitry Kozak, zv/shefi i kabinetit të Putinit.
Në fund, Gallyamov nënvizon se Putin dëshiron një tërheqje të qetë: “Kjo është rruga e duhur për Putinin, në krahasim me Ceausescu apo Gaddafi. Të paktën, Putin do të kishte garanci për sigurinë personale”.