Takimi i shumëpritur në Iran ka ndodhur. Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, bisedoi ballë për ballë me homologun rus, Vladimir Putin, për herë të parë që prej nisjes së luftës në Ukrainë.
Zhbllokimi i eksporteve të grurit ishte çështja kryesore në agjendë, ndërsa diskutime patën edhe për thellimin e bashkëpunimit në disa fusha.
“Rezultati që do të marrim nga këtu do të ndikojë pozitivisht në të gjithë botë”, theksoi Erdogan.
Por optimizmi u shua paksa nga pala tjetër. Putin nënvizoi se jo të gjitha çështjet për eksportin e grurit ukrainas nga portet e Detit të Zi janë zgjidhur.
“Me ndërmjetësimin tuaj ne kemi ecur përpara. Megjithatë, jo të gjitha çështjet janë zgjidhur, por fakti që ka një lëvizje është tregues i mirë”, ka thënë presidenti rus në Teheran.
Takimi i dy liderëve, vjen pasi qeveria turke raportoi se Kievi dhe Moska janë në prag të nënshkrimit të një ujdie për eksportin e grurit ukrainas, gjë e cila do të zbuste krizën në mbarë botën.