Presidenti rus Vladimir Putin u ka thënë nënave të ushtarëve rusë që luftojnë në Ukrainë, të mos besojnë në gjithçka që shohin në televizion ose lexojnë në internet.
Ai ka theksuar se ka shumë “të pavërteta” që qarkullojnë lidhur me atë që Rusia e quan “operacion ushtarak special” në Ukrainë.
Sipas të dhënave të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, mbi 100 mijë ushtarë nga të dyja palët u vranë ose u plagosën në luftën në Ukrainë, ndërkaq pushtimi rus shkaktoi konfrontimin më të madh midis Moskës dhe Perëndimit që nga kriza e raketave kubane në 1962.
Siç raporton Reuters, gjatë një takimi, të regjistruar paraprakisht dhe të transmetuar nga televizioni shtetëror, Putin tha se liderët rusë e kuptojnë dhe ndajnë dhimbjen e atyre që humbën të dashurit e tyre duke luftuar në Ukrainë.