Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka thënë se është i gatshëm të negociojë me “të gjitha palët e përfshira në luftë në Ukrainë, porse Kievi dhe mbështetësit e saj të Perëndimit po refuzojnë të angazhohen në bisedime”.
Putin ka folur në një intervistë të transmetuar në televizionin rus.
Pushtimi rus i Ukrainës që nisi më 24 shkurt nxiti konfliktin më vrasës në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore dhe konfrontimin më të madh mes Moskës e Perëndimit që nga kriza e raketave kubane në vitin 1962.
Kremlini thotë se do të luftojë derisa të arrijë qëllimet që ka, ndërsa Kievi ka thënë se nuk do të ndalet derisa çdo ushtar rus të largohet nga territori i saj, përfshirë edhe nga Krimea që u aneksua nga Rusia në vitin 2014.
“Ne jemi të gatshëm të negociojmë me të gjithë të përfshirët për një zgjidhje të pranueshme, por mbetet te ta – ne nuk jemi ata që po refuzojmë negociatat, ata po i refuzojnë ato”, ka thënë Putin për “Rossiya 1”.
Drejtori i CIA-s, William Burns, në një intervistë të publikuar këtë muaj kishte thënë, se derisa shumica e konflikteve përfundojnë në tryezë të negociatave, vlerësimi i CIA-s është se Rusia nuk është ende serioze sa i përket negociatave të vërteta për t’i dhënë fund luftës.
Ndëerkohë këshilltar i presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka thënë se Putini duhet të kthehet në realitet dhe ta pranojë se ishte Rusia ajo që nuk donte negociata.
“Rusia vet e sulmoi Ukrainën dhe po vretë civilë. Rusia nuk do negociata, por po mundohet të ikë nga përgjegjësia”, ka shkruar në Twitter këshilltari i Zelenskyt, Mykhailo Podolyak.
E presidenti i Rusisë, Putin, ka thënë se “nuk kishte zgjidhje tjetër” në rastin e Ukrainës, pasi sipas tij “Perëndimi i udhëhequr nga SHBA-ja po tentonte ta ndante Rusinë”.
“Po mendoj se ne po veprojmë në drejtimin e duhur, po mbrojmë interesat tona kombëtare, interesat e qytetarëve tanë, të njerëzve tanë. Dhe nuk kemi zgjedhje tjetër, pos të mbrojmë qytetarët tanë”, tha Putin.
I pyetur nëse konflikti po arrin në nivele të rrezikshme, Putin ka thënë: “Nuk besoj se është aq i rrezikshëm”.
Putin ka thënë se “Perëndimi nisi konfliktin në Ukrainë duke rrëzuar presidentin pro-rus”.
Menjëherë pas revolucionit, Rusia aneksoi Krimenë nga Ukraina dhe forcat separatiste të mbështetura nga Rusia filluan të luftonin forcat e armatosura ukrainase në lindje të Ukrainës.
Putini thotë se Perëndimi “ka synuar ta shkatërrojë Rusinë që nga viti 1991 pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik”.
Ai thotë se “operacioni special ushtarak në Ukrainë ishte momenti kur më në fund Moska vendosi të ngrihej ndaj bllokut Perëndimor”.