Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka pranuar një mesazh urimi nga presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, me rastin e 80-vjetorit të çlirimit të Beogradit.
Putin në letër ka theksuar se është e rëndësishme që “traditat e mira të miqësisë vëllazërore” ende shërbejnë si bazë e besueshme për zhvillimin e partneritetit strategjik midis Rusisë dhe Serbisë.
“Operacioni ofensiv i Beogradit, i cili u krye tetë dekada më parë nga forcat e Ushtrisë së Kuqe dhe çetat partizane jugosllave, është një faqe e lavdishme e historisë sonë të përbashkët. Mijëra ushtarë sovjetikë që vdiqën në luftën kundër nazizmit prehen në tokën serbe. Ne e vlerësojmë shumë respektin dhe qëndrimin e kujdesshëm me të cilin autoritetet dhe qytetarët e Serbisë i ruan kujtimet e tyre”, ka thënë Putini në mesazhin e urimit drejtuar Vuçiqit.
Tutje presidenti i Rusisë theksoi se për shekuj rusët dhe serbët “kanë qëndruar krah për krah në luftën kundër armiqve të përbashkët dhe se së bashku kanë kapërcyer fatkeqësitë dhe sprovat”.