Tre persona janë arrestuar gjatë ditës së djeshme nën dyshimet për vjedhjen e pyllit në fshatin Sadllar të Kamenicës. Njëri nga të dyshuarit është pylltar përgjegjës, i cili dyshohet se ka keqpërdorur detyrën e tij zyrtare.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se të dyshuarit janë Rrahmon Geci, Hamdi Shkodra dhe Asllan Shkodra.
Lidhur me arrestimin e tyre, Policia dje ka njoftuar se Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit dega ne Gjilan, kanë ndaluar dy kamionë të cilët po transportonin masë drurore për ngrohje, dokumentacioni përcjellës i të cilëve kishte rezultuar i dyshimtë.
“Për shkak të dyshimeve për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar’, prokurori kujdestar ka urdhëruar që nga pylltari përgjegjës, përkohësisht të sekuestrohen dy kamionët me masë drusore, ndërsa nga shitësi i tyre të sekuestrohen vendimet e lejes për prerje të druve, deri në verifikimin e gjendjes faktike”, thuhet në njoftim.
Geci dyshohet se më qëllime për përfitime pasurore, ka lëshuar dokumente fiktive duke ua mundësuar dy të dyshuarve tjerë, Hamdiut dhe Asllanit, bartjen e drunjve me dokumentacion jo të rregullt.
Tre të dyshuarit dje janë intervistuar nga organet e hetuesisë dhe më pas me urdhër të prokurorit janë dërguar në mbajtje.
Geci do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Keqpërdorim i detyrës zyrtare’, ndërsa Hamdi dhe Asllan Shkodra dyshohen për veprën penale ‘Vjedhja e pyllit’.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.