Duda Balje ka reaguar pasi PZAP-ja refuzoi ankesën e koalicionit VAKAT kundër vendimit të KQZ-së që Ena Krasniqi të mos regjistrohej si pjesë e listës për deputetë të kësaj partie.
Ajo përmes një postimi në Facebook tha se përpjekje të tilla paraqesin precedentë të rrezikshëm për boshnjakët dhe të gjitha minoritetet e tjera në Kosovë.
“PZAP hodhi poshtë ankesën e paraqitur nga Koalicioni Vakat kundër vendimit të KQZ-së për të mos certifikuar kandidaten Ena Krasniqi në listën e tyre zgjedhore”, shkruan Balje në Facebook.
“Kjo është përpjekja e dytë radhazi nga Koalicioni Vakat për të përdorur manipulime politike dhe ligjore për të mohuar të drejtën e boshnjakëve për një vend të rezervuar sipas Kushtetutës dhe ligjit”.
“Mbetet e paqartë nëse këto veprime janë të nxitura nga frika politike, interesat e ngushta apo nga një qëllim i vetëdijshëm për t’i shtyrë boshnjakët në margjinat e jetës politike të Kosovës, por është e qartë se përpjekje të tilla përfaqësojnë një precedent të rrezikshëm, të rrezikshëm jo vetëm për boshnjakët, por edhe për të gjitha komunitetet e tjera minoritare në Kosovë”.
“Çmimi i veprimeve të tilla nuk është vetëm politik, por edhe social – sepse minon besimin midis komuniteteve dhe minon themelet e barazisë, drejtësisë dhe rendit demokratik. Pas dy përpjekjeve të pasuksesshme, ne presim pjekuri dhe përgjegjësi politike nga Koalicioni Vakat”.
