Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Rashit Qalaj, ka thënë se masa e qortimeve për targat ilegale KM, GL e të tjera është masë e butë e për atë nuk ka reagime nga komuniteti serb.
“Jemi në fazën e parë që është ajo e qortimeve dhe është një masë mjaftë e butë dhe për atë nuk kemi ndonjë reagim nga komuniteti atje. Por, për mua është mjaftë e çuditshme kjo çështja e qortimeve pasi po flasim për çështje me ligje të Kosovës”.
Ish-drejtori i Policisë së Kosovës, në Info Magazine në Klan Kosova, thotë se vendimi i qeverisë është shumë konfuz prandaj secili polic e ka të vështirë ta zbatojë të njëjtin.
“Kemi afat 21 ditë dhe i njëjti polic mund që për 21 ditë ta qortojë të njëjtin person dhe nëse kjo mbetet vetëm qortim e qortim për 21 ditë nuk e di ku është esenca e saj. Qortimet juridikisht nuk kanë ndonjë pasojë por mbase psikologjikisht ka ndonjë ndikim se ata duhet t’i ndërrojnë targat – mirëpo juridikisht nuk ka”.
“Çështja e gjobitjes është prapë këtu në aspektin legal pasi unë nuk e di pasi vendimi që ka dërguar qeveria është konfuz pasi ka disa pika që edhe polici që është në terren e ka të vështirë ta implementojë”.
“Pas qortimeve parashihen gjobat dikur kah janari, mirëpo nuk parashihet konfiskimi e veprimet tjera” tha Qalaj.