Drejtori i Institutit “EdGuard”, Rinor Qehaja ka thënë se zëvendësimi i orëve mësimore si pasojë e grevës njëmuajshe të mësimdhënësve është i domosdoshëm, pasi humbja e procesit mësimor paraqet një periudhë goxha të madhe në kalendarin shkollor.
“Mosrealizimi i kësaj periudhe nënkupton edhe dështim në realizim të planprogrameve mësimore. Zëvendësimi i këtyre orëve duhet të ndodhë në bashkërendim me komunitetin e shkollave. Pra nuk mund t’ua imponojmë kompensimin e orëve gjatë të shtunëve, por duhet t’ua lëmë në autonominë e secilit Këshill drejtues të secilës shkollë, se kur është më e përshtatshme të ndodhë kompensimi, nëse duhet të shtunën apo në ditët e pushimeve pranverore e verore”, ka theksuar Qehaja në RTK.
Ai ka thënë se marrja e këtij vendimi nuk është e lehtë dhe nuk mund të merret i përgjithësuar në qendër, por është vendim i domosdoshëm që duhet të merret nga secila shkollë individualisht.
“Kompensimi i orëve mund të ndodhë me kompensim të plotë siç është propozimi tani. Mund të ndodhë me rritje të fondin të orëve brenda një dite mësimore, ku nga 45 ora të shtohet në 50 minuta. Pastaj të shtohet numri i orëve nga 5 në 6 apo 7. Mund të ndodhë ditëve të pushimit, por edhe si opsion tjetër mund të jetë pavarësia individuale e secilit mësimëdhënës me planprogram të përshpejtuar”, ka shtuar Qehaja.
Sipas tij rishikimi i kalendarit duhet të bëhet në bashkërendim me Këshillin e nxënësve, Këshillin e Prindërve dhe me Këshillin e Mësimdhënësve.