Janë jo të rralla rastet kur një punëtor arsimi nga mësimdhënës merr mandatin për drejtor shkolle apo pozita të tjera brenda shkollës apo komunës.
Dhe është krejt legjitime një gjë e tillë, ngase konsiderohet si ngritje në detyrë, raporton Kiks Kosova.
Mirëpo jo gjithmonë pas përfundimit të mandatit ata mund të kthehen përsëri në vendin e tyre të punës si mësimdhënës.
Por problemi qëndron se këto pozita janë të kufizuara në mandat, dhe kjo i ekspozon ata para një rreziku se mund të mbeten të pa punë, pavarësisht kontributit të tyre të gjatë në arsim, i cili mund të jetë edhe disa dekadash.
Sipas drejtorit të institutit arsimor “Ed Guard”, Rinor Qehaja, përgjegjësia që atyre të u sigurohet vendi i punës ku mund të kthehen, iu takon drejtorive komunale të arsimit nëpër secilën komunë.
Qehaja një sigurim të tillë e konsideron si praktikë të mirë të disa komunave, pasi që sipas tij, një gjë e tillë i nxitë mësimdhënësit për të dhënë kontribut në udhëheqje.
Sigurimin e vendit të punës si praktikë Qehaja thotë se do të dëshironte të e shihte nëpër të gjitha komunat e vendit.
Për KIKS-in, Qehaja tha se një qarkore e mirëshpjeguar nga MAShTI do të ndihmonte shumë në këtë aspekt.