Qëndrimi i VV-së për ikjen e qytetarëve: Bislimi e quan normale, ja çka thoshte Kurti me 2019

Qëndrimi i VV-së për ikjen e qytetarëve: Bislimi e quan normale, ja çka thoshte Kurti me 2019

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, sot ka deklaruar se ikja e qytetarëve nga vendi drejt perëndimit është normale dhe se ata po ikin për një jetë më të mirë.

Kështu tha ai gjatë raportimit të tij në Komisionin për Integrime Evropiane.

“Në Kosovë, në Ballkanin Perëndimor ose në Europën Lindore, ka pasur në vazhdimësi tendenca për migrim. Diku gjysmëmilioni mjekë që operojnë në Bashkimin Europian nuk janë të lidhur me Bashkimin Europian. Do të thotë, migrimi është diçka normale, është pjesë e tendencave të individit dhe familjeve për të përmirësuar standardet e jetesës”, tha Bislimi.

Por, të kthehemi pak vite më pas.

Në vitin 2019, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kishte deklaruar ndryshe.

Fajin për ikjen e qytetarëve ai ia linte pushtetit.

Më poshtë ju sjellim deklarimin e plotë të Kurtit në Kuvendin e Kosovës, që e kishte bërë për ikjen e qytetarëve jashtë Kosovës:

Të nderuar qytetar të Republikës dhe deputetë të Kuvendit,

Njerëzit më shumë po ikin sesa që po shkojnë. Kur shkon është e rëndësishme ku po shkon. Kur ik është e rëndësishme prej nga po ikë. Dhe, këtu më shumë kemi të bëjmë me ata të cilët përgjithësisht prej Kosovës sesa me ata që specifikisht po shkojnë në ndonjë vend të caktuar.

Njerëzit ikin nga ky shtet sepse iku edhe prokurori si puna e Elez Blakajt nga Kryeministri e Qeveria. Kosova është një vend prej nga nuk po ikin kriminelët por po ikin prokurorët. Edhe ish-ambasadori amerikan Greg Delawie me 15 gusht të vitit të kaluar pat thënë, po citoj: “Kemi parë frikësim të hapur dhe institucional përmes kërcënimeve dhe sulmeve personale kundër një prokurori, sjellje që vetëm mbështetin pohimin e tij për kërcënime dhe presione politike si arsye për dorëheqjen e tij. Kjo krijon mjedis armiqësor për cilindo prokuror apo gjykatës të ardhshëm.”

Për t’i kthyer njerëzit ne duhet ta kthejmë njëherë Elez Blakajn. Për të pasur prokuror e gjykatës në një sistem të drejtësisë ne duhet ta kthejmë njëherë Elez Blakajn.

Emigrimi që ndodhë tek ne, natyrisht që ka shkaqe të fuqishme ekonomike. Neve na ka ikur paraja, kur ikë paraja – ikin njerëzit. Me këtë deficit tregtar, ne po zbrazemi nga paraja e më pas edhe nga njerëzit. Ndërkohë që, mbi 90% të fondit të kursimeve pensionale të Kosovës, i cili është rreth 1.7 miliardë euro ndodhet jashtë vendit. Banorët e Kosovës, qytetarët e Republikës sonë, i kanë diku 3.2 miliardë kursime në 10 banka, prej të cilave 8 janë të huaja, dhe i kanë 2.7 miliardë kredi me kamata mesatarisht 7%, ndërkohë që interesi në depozita është vetëm 1%. A ne nuk kemi bankë zhvillimore tonën, nërkaq Bashkimi Evropian e ka BERZH-in. Pra, BE ka një bankë zhvillimore për neve, e ne nuk e kemi për vete. Orientimi i gabuar socio-ekonomik natyrisht që shkakton edhe këtë lloj krize të madhe për njerëzit në shoqërinë e në vendin tonë. Mirëpo unë këtu dua të theksoj diçka të ndërlidhur e megjithatë pak tjetër.

Është hendeku i shkathtësive. Mungesa e lidhjes së ekonomisë me arsimin. Të arsimit me ekonominë. Sa është e rëndësishëm ekonomia, sa është i rëndësishëm arsimi edhe më e rëndësishme është lidhja mes këtyre dyjave. Dhe unë besoj se ky është mbase shkaku kryesor i ikjes së të rinjëve. Sipas raportit të Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë të vitit të kaluar thuhet që: “shkollat profesionale ballafaqohen me vështirësi të konsiderueshme financiare dhe shumë nga to kanë objekte të vjetra që nuk ofrojnë kushte për të përgatitur studentët për tregun e punës. Studentëve poashtu u mungon përvoja praktike si rezultat i mungesës së programeve të punës praktike. Kosova duhet të zhvilloj një qasje të ngjashme me atë të Gjermanisë sa i përket aftësimit profesional. Sistemi dual gjerman parashesh që studentët e shkollave profesionale të kombinojnë teorinë me përvojen praktike në sektor privat duke kaluar tri ditë të javës në shkolla, ndërkaq dy ditë në kompanitë e sektorit privat.” Mbaron citati. Dhe më tutje: “Pjesa më e madhe e boshllëkut të shkathtësive raportohet në profile që nuk mbulohen nga sistemi arsimor në vend, p.sh.: për kundër se inxhinieria e prodhimit është një shkathtësi shumë e kërkuar në mesin e kompanive të prodhimit, asnjë institucion arsimor në Kosovë nuk përgatitë kandidat për këtë profil.” Boshllëku i shkathtësive është në thelb të gjendjes alarmante në të cilën ndodhemi sot.

Këtu unë do të kisha theksuar edhe një fenomen tjetër shoqëror është mungesa e banesave për çiftet e reja. Të gjithë jemi dëshimtar se të rinjtë e të rejat në të njëzetat e tyre fejohen edhe kalojnë vite të tëra e nuk martohen se nuk kanë ku martohen. Janë të panumërta rastet kur çiftet e reja dalin të banojnë me qira dhe detyrohen të kthehen tek prindërit. Dhe, ndoshta një ditë edhe ikin nga vendi. Ndërkaq ne infrastrukturën e mendojmë vetëm asfaltin, e jo banesat për çiftet e reja. Banesat për çiftet e reja janë tejet të rëndësishme në mënyrë që të mos ikë rinia. Gjysma e remitancave të dërguara nga bashkatdhetarët tanë në Kosovë, shfrytëzohet për konsum të përditshëm. Vetëm 10% për investime. Ndoshta mërgata armene, hebreje, greke apo irlandeze dërgojnë më shumë para në vendet e tyre, mirëpo jo në raportin 1 me 2 me buxhetin e shtetit sikur që ështe tek ne. Mërgata jonë i sjell mbi 1 miliard euro në vendlindje, ndërkaq buxhetin e shtetit e kemi 2 miliardë euro. Këso raporti nuk ka askund në Evropë. Mbase edhe në Botë është vështirë të gjendet. Por në vend se këto të jenë faktor ekonomik, janë veçse faktor social për mbijetesen nga muaji në muaj. Prandaj, ne kemi nevojë nevojë për një konferencë kombëtare të investitorëve, ku theksi është tek Diaspora, tek Mërgata jonë, por për këtë është i nevojshëm sundimi i rendit dhe i ligjit në Kosovë. Sipas shënimeve të para dy viteve, s’besoj të jenë përmirësuar, koha mesatare në Kosovë për zgjidhjen e konteksteve ekonomike është 658 ditë. Pra, kur lexohen këto shifra është shumë vështirë të investoj edhe shqiptari ynë se lëre më një i huaj. Ndërkaq dihet se bizneset nuk kanë dëshirë që t’i shtrojnë binaret e hekurudhes në shkretëtirë duhet që dikush ta vendos një shtresë paraprake. Pikërisht këtë mund ta bëjë mërgata jonë. Kur investon biznismeni shqiptar nga Gjermania, Zvicra, ShBA shumë më kollaj vjen pastaj edhe biznismeni gjeman, zvicran apo ai amerikan.

Ka një studim i quajtuar “Kthimi i trurit dhe diaspora shkencore shqiptare”, për Shqipërinë është bërë nuk kam lexuar diçka të ngjashme për Kosovën por urgjentisht është e nevojshme që thotë se: “Duhet të ketë së paku 2,500 shqiptarë me doktorratura dhe kandidatë të doktorraturës në vendet e zhvilluara të OECD. Rreth 62% të tyre punojnë në Universitete dhe institucione hulumtuese dhe gati 97% e atyre që janë përgjigjur dhe që kanë përfunduar një doktorratur jashtë vendit kanë gjetë punë që përputhet gjerësisht me nivelin e kualifikimit.”. Ne e kemi edhe këtë problem të madh, jo vetëm që i kemi 20,000 të rinjë e të reja me fakultete e papunë, por e kemi edhe një numër shumtë të njerëzve të cilët kanë mbaruar fakultetin por nuk punojnë në profesion.

Dhe kjo është shume frustruese. Kur studion katër vite, pesë vite apo gjashtë vite dhe në fund bënë një punë për të cilën nuk të hynë në punë shkollimi yt kjo me siguri që është shumë frustruese. Rreth 19% të atyre që kanë doktorratur ose kandidatë për doktorratur jashtë kanë studiuar ose janë duke studiuar shkenca sociale, 18% biologji, matematikë ose fizikë, 17% ekonomi dhe studime biznesi, 14% mjekësi ose diçka që lidhet me këtë, 13% inxhinieri apo ndërtimtari dhe 10% shkenca kompjuterike apo elektronikë. Diaspora Shkencora Shqiptare veçanërisht gjenerata e parë mbanë lidhje të ngushta me vendin e origjinës sipas studimit 96% e shqiptarëve që kanë doktorruar mbajnë kontaktë të rregullta me vendlindjen, rreth 75% vizitojnë Shqipërinë gjatë pushimeve, një herë ose më shumë gjatë vitit për t’i vizituar edhe prindërit, të afërmit dhe miqtë. Të dhënat e studimit tregojnë se 17.1% e shqiptarëve që kanë doktorruar dëshirojnë të kthehen. 49.7% thonë se ende nuk kanë vendosur dhe 33.2% thonë se nuk duan të kthehen. Pra, më shumë se çdo i gjashti dëshiron të kthehet, gjysma nuk e kanë vendosur, ndërkaq një e treta nuk duan të kthehen. Pra, atje ka mendim për tu kthyer dhe dëshirë për tu kthyer por kjo tashmë nuk varet prej tyre, kjo varet prej neve se çfarë shteti ndërtojme ne, çfarë kushte krijojmë për ta. Dhe, shtetet tjera kanë pasur kriza të ngjashme sikurse ne por ja kanë dalë. Ka pafund përvoja nga të cilat mund të mësojmë në mënyrë që edhe ata që kanë menduar të ikin, të mos kenë arsye, por edhe ata që duan të kthehen poashtu të kenë edhe arsye përveç se dëshirë.

Related Articles