Anëtari i PSD-së, Qëndron Kastrati, e ka shpallur kandidaturën e tij për kryetar të Kamenicës.
Kastrati i cili e udhëhoqi për një mandat këtë komunë, tha se gjatë viteve të fundit ka investuar në zhvillimin e tij personal dhe profesional, ku ka përfunduar studimet e nivelit mastër në Londër në drejtimin “Politika e Klimës, Inovacionit dhe Zhvillimit të Qëndrueshëm”.
“Ky ishte një hap i rëndësishëm, sepse përvoja në qeverisje më ka dhënë praktikën, ndërsa studimet më kanë dhënë vizionin. Sot i kuptoj edhe më qartë nevojat e një komuniteti: si ndërtohet zhvillimi, cilat boshllëqe duhen mbushur dhe cilat mundësi duhet kapur”.
“Ky drejtim më ka përforcuar bindjen time: rruga është zhvillimi, prioriteti është qytetari, dhe synimi është Kamenica krenare”, shkroi Kastrati.
Tutje, Kastrati tha se po e shpall kandidaturën e tij me bindjen se do t’ia rikthejnë Kamenicës zhvillimin dhe dinjitetin.
“Përtej dallimeve e inateve politike, është koha të bashkojmë potencialin. Bashkë mund të zgjidhim hallet e përbashkëta, bashkë mund të krijojmë jetë më të mirë. Unë besoj në Kamenicën. Unë besoj në juve. Unë jam gati me ju shërby prapë”, shkroi ai.