Qeveria në detyrë e Kosovës ka shprehur pakënaqësi ndaj qëndrimit të Bashkimit Evropian, që kushtëzon heqjen e masave ndëshkuese me formimin e ekzekutivit të ri. Premtimet BE-së deri vonë kanë qenë se masat do të hiqen me t’u inauguruar me sukses kryetarët e komunave në veri. Në Qeveri kanë thënë se çdo zvarritje tjetër për heqjen e masave cenon kredibilitetin e BE-së
Qeveria e Kosovës është deklaruar e zhgënjyer që Bashkimi Evropian nuk i qëndroi prapa paralajmërimit për heqjen e masave pas transferimit të suksesshëm të pushtetit lokal në veri. Dy ditë më parë Bashkimi Evropian ka shprehur gatishmëri të angazhohet për heqjen e masave ndaj Kosovës, por vetëm pasi të formohet qeveria e re, pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit.
Kushtëzimi i heqjes së masave ndëshkuese nga BE-ja me zgjedhjet parlamentare është vlerësuar i paarsyeshëm nga ekzekutivi. Në një përgjigje për KOHËN, Klisman Kadiu, këshilltar për media në Zyrën e zëvendëskryeministrit në detyrë, Besnik Bislimi, ka thënë se zgjedhjet e 28 dhjetorit nuk kanë asgjë të përbashkët me procesin e heqjes së masave nga BE-ja. Ai ka thënë se Kosova e ka përmbushur kushtin e vendosur nga Bashkimi Evropian.
“Së fundmi Komisioni Evropian konstatoi në Raportin për Vendin, në fillim të muajit të kaluar, se masat do të hiqen pas zgjedhjeve lokale dhe transferimit të suksesshëm të pushtetit në katër komunat në veri. Edhe kjo tashmë ka ndodhur, në mënyrë paqësore, ligjore dhe pa asnjë incident. Çdo zvarritje tjetër vetëm sa e thellon absurditetin e masave dhe e cenon kredibilitetin e BE-së. Qëndrimi ynë është që masat duhet të hiqen menjëherë dhe plotësisht. Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë nuk kanë asnjë lidhje me këtë proces”, ka thënë Kadiu.
Kadiu ka shtuar se masat u vendosen padrejtësisht ndaj Kosovës.
“Kur janë vendosur masat ndaj Kosovës, ato fillimisht kanë qenë të padrejta. Tash e një kohë të gjatë ato nuk kanë më as kuptim dhe as bazë me realitetin në terren. Në vitin 2024, vetë Josep Borrell, atëkohë përfaqësues i lartë i BE-së, kishte rekomanduar heqjen e masave. Megjithatë, veprimet e para drejt largimit të masave u ndërmorën vetëm në mesin e vitit 2025, kur edhe filloi heqja graduale e tyre”, është shprehur ai.
