Pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare, Qeveria e Kosovës ka miratuar vendimin për themelimin e komitetit për koordinimin dhe vlerësimin e situatës me pandeminë COVID-19 në vend.
Por në përbërjen që ka përcaktuar Qeveria, nuk janë futur edhe kryetarët e komunave të Kosovës.
Sipas Qeverisë, sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Shëndetësisë do të caktojë sekretariatin e komitetit, ndërsa ky komitet obligon komunat që të themelojnë nën komitete komunale me qëllim të parandalimit dhe luftimit të pandemisë.
Ndaj këtij vendimi ka reaguar drejtori i Asociacionit të komunave, Sazan Ibrahimi.
Ai ka thënë se është befasuese sesi Qeveria as nuk i ka kontaktuar për të diskutuar lidhur më këtë çështje.
“Si mundet një grup të quhet koordinues kur përfaqësuesit e komunave nuk janë aty. Nuk e di se si mund të harrohen (me qëllim apo pa qëllim) institucionet ku zbatohen masat”, tha Ibrahimi.
Tutje theksoi se masat kundër coronavirusit nuk zbatohen nëpër zyra e Qeverisë por nëpër komuna, aty ku ka zhvillim të jetës së qytetarëve.
“Masat anti-COVID nuk zbatohen nëpër zyrat e qeverisë por nëpër komuna sepse aty zhvillohet jeta e qytetarit e jo nëpër zyrat e qeverisë dhe pa bashkëpunim me komunat nuk e di se si mund të ketë sukses zbatimi i masave”, u shpreh Ibrahimi, për Telegrafin.
Ndërkaq, komiteti për koordinimin dhe vlerësimin e situatës me pandeminë COVID-19 do të ketë këtë përbërje:
1. Dr. Arben Vitia, Kryesues;
2. Ministria e Punëve të Brendshme (MPB), Zëvendës kryesues;
3. Zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës, anëtar;
4. Mehdi Sejdiu, Këshilltar i Zëvendëskryeministrit të parë të Republikës së Kosovës, anëtar;
5. Prof. Dr. Naser Ramadani, anëtar;
6. Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), anëtar;
7. Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve (MFPT), anëtar;
8. Ministria e Drejtësisë (MD), anëtar;
9. Ministria e Mbrojtjes (MM), anëtar;
10. Ministria e Shëndetësisë (MSH), anëtar;
11. Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), anëtar;
12. Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), anëtar;
13. Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), anëtar;
14. Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI), anëtar;
15. Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR), anëtar;
16. Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), anëtar;
17. Ministria e Ekonomisë (ME), anëtar;
18. Ministria për Komunitete dhe Kthim (MKK), anëtar;
19. Ministria e Zhvillimit Rajonal (MZHR), anëtar;
20. Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, anëtar;
21. Agjencia e Kosovës për Inteligjencë, anëtar;
22. Policia e Kosovës, anëtar;
23. Këshilli për Siguri, anëtar;
24. Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave, anëtar;
25. Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK), anëtar;
26. Inspektorati i Tregut / (MINT), anëtar;
27. Ftohet ta dërgoj një përfaqësues, Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, anëtar.