Qeveria ia jep pronat e APK-së në shfrytëzim Ministrisë së Mbrojtjes e FSK-së

Qeveria ia jep pronat e APK-së në shfrytëzim Ministrisë së Mbrojtjes e FSK-së

Qeveria e Kosovës ka miratuar dhënien në shfrytëzim të pronave të Agjencisë së Pyjeve të Kosovës për nevoja të Ministrisë së Mbrojtjes dhe të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se me ngritjen e kapaciteteve dhe përmirësimin e kushteve Ushtria e Kosovës po forcohet.

“Ushtrinë tonë po e rrisim dhe forcojmë, më shumë dinjitet, më shumë kushte, më shumë buxhet e më shumë armatim po i shtohet Forcës së Sigurisë së Kosovës … sot me datën e rënies së heroit Zahir Pajaziti, do të marrim vendim për dhënien në shfrytëzim të ushtrisë të pronës në Batllavë, për nevoja të Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së do të shfrytëzohen pronat e Agjencisë së Pyjeve të Kosovës, përkatësisht pronës shoqërore ne Batllavë më sipërfaqe prej 100 hektarësh e cila do të vihet në shfrytëzim për ngritjen e kapaciteteve operacionale të ushtrisë sonë”.

Ka miratuar propozim-vendimin përfundimtar për shpronësim për interes publik të pronave të paluajtshme, të cilat preken nga realizimi i projektit: Zgjerimi i rrugës nacionale N9 Kijevë-Zahaq, segmenti Dollc-Ramun; propozim-vendimin preliminar për shpronësim për interes publik të pronave të paluajtshme, të cilat preken nga realizimi i projektit: Zgjerimi i rrugës nacionale N2 segmenti “Hyrja në qytetin e Ferizajt”; propozim vendimin preliminar për shpronësim për interes publik të pronave të paluajtshme, të cilat preken nga realizimi i projektit: Ndërtimi i rrugës rajonale R-118 Mushtisht-Shtëprcë; propozim vendimin preliminar për shpronësim për interes publik të pronave të paluajtshme, të cilat preken nga realizimi i projektit: Zgjerimi i rrugës nacionale N25, segmenti QMI-Lipjan.

Qeveria ka miratuar po ashtu kërkesën për pagesë të 224 specializantëve me vetëfinancim dhe atë për pagesë të 30 specializantëve me vetëfinancim nga Lugina e Preshevës dhe Mali i Zi.

Ndërkaq, kabineti ka miratuar themelimin e Këshillit Organizativ për shënimin e 17 shkurtit – Ditës së Pavarësisë – me kryesues ministrin e Kulturës, Hajrulla Çeku.

Kabineti qeveritar u mblodh të premten.

Related Articles