Përmes një fotografie të shpërndarë në Facebook nga zëdhënësi i Qeverisë Kurti, Përparim Kryeziu janë të listuara pesë ngjarjet kryesore të javës.
Ngjarja e parë kryesore sipas Qeverisë është: Këtë javë janë bërë 1 vit prej kur për herë të parë filloi skema e Shtesave për Fëmijë dhe Shtesave për Lehona.
Pastaj vjen nënshkrimi i kontratave për ndërtimin e pesë çerdheve të reja në Prishtinë, Gjilan, Gjakovë, Kamenicë dhe Miresh të Gjilanit.
Në këtë javë, ngjarje kryesore u vlerësua edhe ekzekutimi i pagesave të dyfishta të asistencës sociale për 25 mijë familje.
Postimi i plotë:
Pesë ngjarjet kryesore të javës:
Këtë javë u bënë një vit prej kur për herë të parë filloi skema e Shtesave për Fëmijë dhe Shtesave për Lehona. Deri më tani, nga kjo mbështetje kanë përfituar rreth 200 mijë fëmijë dhe mbi 20 mijë lehona (Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve).
U nënshkruan kontratat për ndërtimin e pesë çerdheve të reja në Prishtinë, Gjilan, Gjakovë, Kamenicë dhe Miresh të Gjilanit. Ndërtimi pritet të fillojë javën e ardhshme. Ndërkaq në procedura të tenderimit janë edhe katër objekte që do të shndërrohen në çerdhe (Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit).
U ekzekutuan pagesat e dyfishta të asistencës sociale për 25 mijë familje. Shtatori është muaji i katërt gjatë qeverisjes sonë që familjet me asistencë sociale përfitojnë nga dyfishimi i pagesës (Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve).
U proceduan për pagesa edhe mbi 10 milionë euro në kuadër të Programit për Pagesa Direkte 2022. Gjithsej, deri më tani janë proceduar për pagesa 42 milionë euro për mbi 25 mijë bujq dhe fermerë përfitues vetëm në kategorinë e subvencioneve (Ministria e Bujqesisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural).
Për të lehtësuar angazhimin në institucionet tona të bashkatdhetarëve tanë që janë profesionistë shëndetësorë, ata do të lirohen nga obligimi për t’u pajisur me leje pune afatshkurtër dhe do t’i kenë më të thjeshta procedurat e aplikimit për licencim (Ministria e Shendetësisë).