Analisti Iliri Mirena ka thënë se asnjëherë në Kosovën e pasluftës nuk është parë një luftë kaq e hapur ndaj sindikatave dhe arsimtarëve të vendit.
Ai ka akuzuar Qeverinë Kurti për njollosje të grevave të punëtorëve të sektorit publik, të cilët po kërkojnë paga më të mira pas inflacionit dyshifror të muajve të fundit.
“Kurrë në Kosovën e pasluftës nuk është bërë një luftë kaq njollosëse kundër grevave kundër sindikatave. Është aktivizuar i tërë mekanizmi për me i njollosë arsimtarët dhe sindikatat”, ka deklaruar Mirena në Pressing të T7.
Në studio, Mirena ka thënë se qeveritarët po provojnë edhe të nxisin një konfrontim ndërmjet mësimdhënësve dhe prindërve.
“Aq larg kanë shku, po provojnë me i konfrontu edhe arsimtarët me prindërit. Po provohet. Ky është veprimi më i ulët. Një këso lufte për njollosjen e sindikatave, asnjëherë në historinë e pasluftës, nuk është parë”, ka thënë ai.