Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka thënë sot se do të kërkojë që masat emergjente që janë marrë para dy muajve të zgjaten si pasojë e krizës me energjinë elektrike.
Gjatë raportimin në Komisionin për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, Rizvanolli ka folur për krizën me të cilën po përballen Evropa dhe Kosova si pasojë e luftës në Ukrainë.
“Evropa është duke vazhduar të kalojë në një krizë energjetike edhe më të rëndë se vitin e kaluar, për shkak të luftës në Ukrainë dhe përdorimit të burimeve të energjisë si armë nga ana e presidentit rus Vladimir Putin”, deklaron Rizvanolli.
Ajo tha se në kuadër të masave emergjente, janë marrë disa vendime, ku mes tyre është shfuqizuar vendimi i vitit 2018, ku ka ndaluar dhënien e thëngjillit si formë dhurate për punëtorët e KEK-ut, transmeton Zeri.info.
“Masat emergjente që kemi vendosur para dy muajve tani po kërkojmë që këto masa të zgjaten, duke pasur parasysh që pritet të jetë një dimër i vështirë”.
“Është shfuqizuar vendimi i vitit 2018 për ndalimin e dhënies së thëngjillit në formë dhurate për punëtorët e KEK-ut”, deklaron Rizvanolli.