“Qeverisë i kemi ofruar mbështetje në sistemin e drejtësisë”

“Qeverisë i kemi ofruar mbështetje në sistemin e drejtësisë”

Në Parlamentin Evropian në Strasburg, po vazhdon takimi i 10-të të Komitetit të përbashkët Parlamentar për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit me BE-në.



Në kuadër të takimeve janë disa tema, ku veçohen energjia, ekonomia dhe mirëqenia sociale.

Ndërkohë, deputetja e LDK-së, Rrezarta Krasniqi u shpreh se “jemi në linja të njëjta me BE-në, duke synuar kështu të kemi një shtet ligjor të së drejtës, ku sundon rendi dhe ligji, si dhe respektohen dhe promovohen të drejtat e njeriut”.

Sipas saj, “është synim i yni i përbashkët si vend që të kemi një sistem të drejtësisë të pavarur dhe efektiv”.

“Republika e Kosovës tashmë ka ndërtuar institucione të qëndrueshme përfshirë edhe institucionet e sigurisë dhe drejtësisë. Megjithatë si një vend i ri përballemi ende me sfida të natyrave të ndryshme. Sa i përket legjislacionit, Kosova tashmë ka një kornizë të mirë të legjislacionit, ka një legjislacion të harmonizuar dhe është mirë me përmbushjen e standardeve të BE-së, por sfidë mbetet zbatimi i tij në praktik”, tha ajo në Strasburg.

Ajo tregoi se opozita e në veçanti, Lidhja Demokratike e Kosovës i ka ofruar Qeverisë Kurti mbështetje në miratimin e legjislacionit në fushën e drejtësisë.

“Si një proces i rëndësishëm në fushën e Drejtësisë, Lidhja Demokratike e Kosovës ka ofruar mbështetje në procesin e vetingut, proces ky i cili duhet të bëhet në përputhje me rekomandimet e komisionit të Venecias. Kuvendi tashmë ka themeluar komisionin ad hoc për vetingun i cili drejtohet nga opozita, gjegjësisht nga LDK”.

Krasniqi theksoi se sistemi i drejtësisë ka nevojë për më shumë përkrahje në rritjen e kapaciteteve që të iu mundësohet luftim i krimit dhe korrupsionit e “në veçanti të mos ndërhyrjes së politikës në punën e tyre”.

“Përveçse kemi ofruar mbështetjen tonë në procesin e reformave në drejtësi dhe siguri, në anën tjetër Ne si opozitë kemi shprehur shqetësimet tona me uljen e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve me ligjin e ri të pagave si dhe mos emërim e kryeprokurorit të shtetit. Një tjetër sfidë në fushën e sundimit të ligjit është dorëheqja e gjyqtarëve dhe prokurorëve, si dhe të policisë në pjesën veriore te vendit. Qytetarëve të komuniteti serb që jetojnë në pjesën veriore të Mitrovicës sot nuk mund të i realizojnë të drejtat e tyre në sistemin e drejtësisë”.

“Ata po ashtu përballen me me rrezikun e sigurisë që vjen kryesisht nga grupet kriminale serbe të instaluara në veriun e Kosovës, e të cilat mbështeten drejtpërdrejtë nga Beogradi zyrtar. Dorëheqjet e kryetareve të komunave në veri të vendit, të zyrtarëve tjerë komunal, të policëve, gjyqtarëve dhe prokurorëve serb atje, e ka vështirësuar gjendjen e sigurisë tej mase. Këto ndërhyrje janë bërë me presionin dhe urdhrin e Qeverisë së Serbisë, me qëllim të destabilizimit të gjendjes në këtë pjesë të Republikës së Kosovës”.

“E gjithë kjo po ndodh në kohën kur po mbahen takimet dialoguese për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, i cili dialog po udhëhiqet nga BE dhe me mbështetje të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ne si shtet mbetemi vigjilent kundrejt sfidave me të cilat përballet sistemi i drejtësisë në vend. Andaj, ne mbetemi të përkushtuar në vendosjen e sigurisë dhe sundimit te ligjit. Megjithatë, nuk mund ta mohojmë progresin gradual të sistemit të drejtësisë në vendosjen e rendit dhe ligjit në vend”, theksoi Krasniqi.

Related Articles