Ishte 2 maji i viti 1999 kur forcat serbe i vunë flakën Xhamisë tek Ura e Ibrit, e ndërtuar në shekullin e 18-të. E pas djegies ajo u rrafshua me eskavator për të mos u rindërtuar edhe pas 22 viteve nga përfundimi i luftës. Si xhamia afër lumit që tash ndan Mitrovicën e Jugut nga ajo e Veriut, e pësuan qindra xhami e objekte kulti islame si medrese, mejtepe e qendra bektashiane. Por të njëjtin fat patën edhe kishat katolike në Kosovë, të cilat u shkatërruan apo u përdhosën nga ushtria serbe.
Organizata e Mjekëve për të Drejtat e Njeriut në vitin 1999 kishte dokumentuar mbi bazën e dëshmive të refugjatëve se në Kosovë gjatë luftës u shkatërruan 155 xhami në të gjithë vendin.
Sipas kësaj organizate në total 297 objekte kulti u shkatërruan gjatë luftës në Kosovë.
Ndërkaq Bashkësia Islame e Kosovës jep një numër edhe më të madh.
Në regjistrat e organizatës që përfaqëson myslimanët figurojnë saktësisht 218 objekte islame të shkatërruara, djegura, rrënuara e të demoluara nga forcat serbe gjatë luftës së fundit.
Më së shumti objekte islame të shkatërruara, sipas BIK, pati në Pejë (35), Gjakovë (25), Rahovec (21), Suharekë (17), Prizren (14) e Prishtinë (13), numri i saktë të cilave janë përmbledhur në librin “Shkatërrimi i trashëgimisë islame në luftën e Kosovës (1998-1999) që për autor ka ish-kryeimamin Sabri Bajgora.
Ushtria serbe në Pejë dogji xhamitë më të vjetra të qytetit përfshirë xhaminë e Hamamit e ndërtuar më 1587, Xhaminë e Çarshisë që datonte nga vitit 1471 e ajo e Kurshumlisë që përfundoi së ndërtuari në vitin 1577.
“Shumica e xhamive të komunës (Pejës v.j.), gjithashtu do të shkatërroheshin. Sipas zyrës lokale të bashkësisë islamike, nga tridhjetë e një xhamitë në mbarë komunën, trembëdhjetë do të rrafshoheshin, ndonëse tre prej tyre ishin shkatërruar qysh në vitin 1998 (njëra në Logjë, tjetra në Rausiq dhe e treta në Vranoc). Xhamitë e tjera në një mënyrë ose tjetër do të shfytyroheshin, ca me mbishkrime dhe ca me dëmtime të pjesshme. Më 19 korrik 1999, Human Rights Watch vizitoi arkivin treqind vjeçar të Bashkësisë Islamike, i cili ishte djegur e rrënuar”, shkruante Human Rights Watch, përcjellë Gazeta “Enigma”.