Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) ka vlerësuar se doktrina kombëtare e sigurisë e Serbisë është shndërruar në një instrument për institucionalizimin e armiqësisë ndaj Kosovës, duke thelluar njëkohësisht bashkëpunimin strategjik me Rusinë dhe Kinën.
Ky raport analizon se si doktrina e sigurisë e Serbisë e sheh Kosovën, ky zhvillim e ka potencialin të minojë interesat e BE-së dhe NATO-s në Ballkanin Perëndimor.
Në një komunikatë të QKSS-së për raportin thuhet se sipas gjetjeve, pas retorikës së “neutralitetit ushtarak,” Serbia po e ngulit në mënyrë sistematike një narrativë antiperëndimore dhe po e trajton shtetësinë e Kosovës si çështje sigurie për të justifikuar sjellje agresive.
“Në letër, doktrina pozicionon Serbinë si një shtet që balancon mes Lindjes dhe Perëndimit. Por studiuesit e QKSS theksojnë se kjo është një fasadë. Në realitet, Serbia po ndjek një politikë me dy binarë: përfshihet në mënyrë selektive me Perëndimin për përfitime ekonomike dhe politike, ndërsa në të njëjtën kohë thellon aleancat ushtarake, ekonomike dhe ideologjike me fuqi autoritare si Kina dhe Rusia”, thuhet në komunikatë.
Ndër elementet më shqetësuese të kësaj doktrine thuhse se është përqafimi nga ana e Serbisë i konceptit të “Mbrojtjes Totale” – një model që thuhet se militarizon shoqërinë dhe e zbeh kufirin ndërmjet sektorit civil dhe atij ushtarak.
“Raporti paralajmëron se kjo qasje mund të rrisë rrezikun për destabilitet në rajon, sidomos në një kontekst ku Serbia vazhdon të portretizojë Perëndimin – veçanërisht NATO-n, BE-në dhe shoqërinë civile – si instrumente të ndërhyrjes së huaj”, thuhet në komunikatë.
Raporti bën thirrje për një reagim proaktiv nga aktorët perëndimorë, por gjithashtu edhe nga vetë Kosova. Ai i kërkon NATO-s dhe BE-së të ndjekin një qasje më të koordinuar dhe të qëndrueshme ndaj Serbisë, “përfshirë mekanizma kushtëzues që lidhin mbështetjen financiare dhe politike me përmbushjen e standardeve demokratike dhe harmonizimin e politikës së jashtme me atë të BE-së.
Gjithashtu, rekomandohet që Kosova të forcojë qëndrimin e saj diplomatik dhe të përmirësojë koordinimin me aleatët kryesorë, në mënyrë që të perceptohet si një aktor normativ në rajon.
Raporti ka titull “Si e sheh doktrina e sigurisë së Serbisë Kosovën, Perëndimin, Rusinë dhe Kinën?”, dhe autor Ramadan Ilazi, udhëheqës i hulumtimit në QKSS.