Ndonëse ishte arrestuar disa javë më parë nga autoritetet e Shqipërisë për përndjekjeje të një moderatoreje dhe ishte pezulluar nga detyra e tij si psikiatër në SHSKUK, Behar Kamberi është rikthyer në vendin e tij të punës, pa asnjë sqarim publik nga institucionet. Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist e konsideron një veprim të gabuar e në Prishtinë në Prokurori nuk dhanë detaje nëse ka raste aktive këtu.
Ende pa u bërë një muaj qëkur u arrestua nga autoritetet shqiptare për përndjekje të një gruaje, Behar Kamberi është rikthyer përsëri në institucionet publike të Kosovës, raporton RTV Dukagjini.
Kamberi i cili ushtronte profesionin e Psikiatrit në Klinikën e Psikiatrisë në QKUK, ishte pezulluar nga detyra e tij, deri në përfundimin e procedurave ligjore.
E rikthimin e tij brenda javësh e ka konfirmuar drejtori i kësaj klinike, pa asnjë përgjigje rreth hetimeve.
“Po është e vërtet, me vendim të drejtorisë së SHSKUK-së dhe unë nuk po e kuptoj pse duhet bërë ky gjyq publik për një njeri. Faleminderit për interesimin por duhet ta merrni në konsideratë një gjë, secili lajm që e qitni i bën dëm institucionit”, ka deklaruar Faton Kutllovci – Drejtor i Klinikës së Psikiatrisë.
E një revoltë, e ka shprehur Kolektivi Feminist që konsideron se institucionet po përcjellin mesazh të gabuar.
“Kjo tregon se sa është normalizuar dhuna në institucione publike. Në rastin konkret, të kesh kallëzim të tillë i cili është vepër penale dhe me pas një person që është nën hetime për vepra penale dhe ta mbash për psikiatër në institucion publik paraqet një alarm dhe kjo i sinjalizom gratë e vajzat që çkado që ndodhë, çfarëdo raportimi që mundeni me pas, shteti ka me ia mbajt krahun dhunuesve, ngacmuesve. Kjo është alarmuese. Duhet t’ia japim një shenjë shtetit që sado që mundohet me na shit retorika në baza ditore për sigurinë e grave dhe vjen puna me i ndëshku punëtorët e vet, ata i normalizojnë”, ka deklaruar Liridona Sijarina – “Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist”.
“Lidhur me pyetjen tuaj ju njoftojmë, se Prokuroria Themelore në Prishtinë ka pranuar kallëzimin penal të parashtruar nga Policia e Kosovës-Stacioni në Gllogoc me datën 20.10.2020, kundër të dyshuarit B.K, për shkak të dyshimit të arsyeshëm se ka kryer veprën penale ”Kanosja” nga neni 181 dhe Ngacmimi nga neni 182 të KPRK-së”.
Prokurori i shtetit pas pranimit të kallëzimit penal dhe shkresave të lëndës ka vlerësuar se, rasti mund të referohet për ndërmjetësim, me datë 03.12.2020, zyra për ndërmjetësim, ka paraqitur në Prokurori marrëveshjen e ndërmjetësimit të arritur në mes të palëve të përfshira në rast, si dhe palët me vullnetin dhe pajtimin e tyre kanë zgjidhur rastin sipas ligjit për ndërmjetësim.
