QKUK përballet me mungesë sigurie, punonjësit shëndetësorë pa mbrojtje private

QKUK përballet me mungesë sigurie, punonjësit shëndetësorë pa mbrojtje private

Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK), institucioni më i madh shëndetësor në vend, po përballet me mungesë serioze të sigurimit privat, pasi rreth 300 punëtorë të sigurimit janë larguar për shkak të ndërprerjes së kontratave nga Organi Shqyrtues i Prokurimit

Aktualisht, siguria e QKUK-së i është lënë vetëm Policisë së Kosovës, e cila nuk ka bërë të ditura kapacitetet e saj për mbulimin e këtij institucioni kritik.

Kjo situatë ka shqetësuar rëndë punonjësit shëndetësorë, të cilët ndihen të pambrojtur ndaj rreziqeve në vendin e punës, duke rritur stresin dhe pasigurinë gjatë kryerjes së detyrave.

Kryetarja e Federatës së Sindikatës së Shëndetësisë së Kosovës, Tevide Imeri, tha se:

“Punonjësit shëndetësorë nuk janë të pajisur me sigurim privat, as për mbrojtje fizike në vendin e punës, e as për mbulimin e rrezikut që mund të vijë nga natyra e profesionit të tyre“.

Ajo vuri në dukje rritjen e rasteve të sulmeve ndaj stafit shëndetësor.

“Kjo ka krijuar pasiguri tek punëtorët shëndetësorë, të cilët në shumë raste janë detyruar ta kryejnë punën nën stres dhe presion të vazhdueshëm.”

Imeri e konsideron mungesën e sigurimit privat një “mangësi serioze”.

“Përgjegjësia kryesore bie mbi Ministrinë e Shëndetësisë, e cila duhet të sigurojë politika mbrojtëse dhe buxhet për sigurimin privat të punonjësve shëndetësorë. Gjithashtu, ShSKUK-ja si punëdhënëse direkte ka detyrë të kujdeset për mirëqenien dhe sigurinë e stafit të saj“, tha ajo për Albanian Post.

Related Articles