Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Anton Quni, i doli në mbrojtje kandidatit për kryeprokuror të Shtetit, Blerim Isufaj, në seancën e sotme parlamentare, raporton Gazeta Enigma.
“Këtu në kuvend në debate dhe intervista nga zyrtarët shtetëror të mbështetur nga analistët të mbështetur nga partia në pushtet është përmendur kryeprokurori Blerim Isufaj duke e cilësuar atë si të padenjë për detyrën që e ushtron” u shpreh Quni.
Quni, tha se Isufaj e ka dëshmuar vetën gjatë luftës me uniformë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por edhe pas luftës duke mbrojtur rendin e ligjin.
“Ai përkundër mandatit dhe autorizimeve ligjore u etiketua si shantazhues, sabotues e tekanjoz i kapur për bishti deri tek përmasat e një monstrumi antikombëtar e antishtetëror – kur cilësimet e tilla bëhen nga zyrtarët shtetëror bëhen të besueshme për një numër të madh të qytetareve, do të ishte e besueshme edhe për mua po mos ta njihja”, theksoi ai.
Tutje ai potencoi se “Jam dëshmitar se si Blerimi në uniformën e UÇK-së i doli zot atdheut, ishte shembull i mirë për të gjithë bashkëluftëtarët – asnjë moment ligështimi madje edhe kur e shikonte vdekjen me sy. Si fitimtar e faqebardhë iu rikthye familjes me gjithë atë ai vazhdoi rrugën tjetër atë kundër kriminele, e rrezikshme për të por e rëndësishme për rendin e ligjin” tha Quni.