Jeta e natës në Prishtinë, në shumë lagje po shkakton ndotje akustike, që vjen si pasojë e zërimit të lartë nga lokalet, përkatësisht kafiteritë. E kjo po bën që qytetarët të ankohen.
Shumë prej banorëve të Prishtinës mendojnë se hapja e klubeve të natës do të ishte lajm i mirë për shkak se sipas tyre rolin e tyre tashmë e kanë marrë kafiteritë.
Kafiteritë janë shndërruar në vendet e vetme ku qytetarët mund të argëtohen.
Mirëpo qytetarët po ankohen se këto kafene po u shkaktojnë shqetësime
“Pos stresit ditor që e kemi në përditshmërinë tonë, as në mbrëmje nuk po e gjejmë qetësinë. Zhurma po depërton edhe në katet e larta të objekteve e jo vetëm në katet e lokaleve. Kafiteritë e lagjes janë shndërruar në klube të natës. Zhurma po i kalon të gjitha normat e lejuara”, deklaroi një qytetar për RTV Dukagjinin.
Nga tjetër nga Komune e Prishtinës po thonë se janë vazhdimisht në aksione ditore me Policinë e Kosovës.
“Shpesh dalim në aksion bashkë me Policinë e Kosovës për të monitoruar dhe ndërmarrë masa. Kemi vazhdimisht ankesa nga qytetarët. Janë oraret e caktuara kur Policia e Kosovës mund të intervenojë dhe shqiptojë gjoba për zhurmë”, thuhet në përgjigjen e Komunës së Prishtinës.