Një qytetar nga Peja ka shkuar sonte vullnetarisht për të dhuruar gjak në Spitalin e Pejës, atje ku po trajtohet një i ri që ka mbetur i plagosur nga sulmi i armatosur në Gllogjan të Deçanit.
Pavarësisht vetiniciativës së tij, mjekët në këtë spital, sipas qytetarit, e kanë informuar se për momentin nuk janë në nevojë për gjak, por se e kanë lënë të hapur mundësinë që ta telefonojnë në rast se iu duhet.
“Po ishim në spital. Thanë nuk ka nevojë njëherë me dhuru (gjak) për Prishtinë. Momentalisht nuk ka nevojë njëherë, e më thanë se nëse ka nevojë ne mund të të thërrasim prapë. E kanë numrin tim të telefonit këto mjeket dhe më thërrasin. Nëse ka nevojë unë do të vijë prapë për të dhuruar gjak,” – u shpreh qytetari për mediat.
Ai për ATV-në tha se edhe vajza e tij ka shprehur dëshirën që të dhurojë gjak. Në anën tjetër siç mëson ATV i plagosur nga sulmi në Gllogjan tashmë është futur në sallën e operimit.
Kujtojmë se në orën 19:00 të së premtes u raportua për sulm të armatosur që u krye në mes të fshatrave Shaptej dhe Gllogjan. Një autobus që transportonte nxënës nga Gjakova për në Deçan, është sulmuar nga një person i maskuar, ku si rezultat kanë vdekur 3 persona dhe një është plagosur.
I vdekur në vendin e ngjarjes ka mbetur shoferi i autobusit që po i transportonte nxënësit – dy prej të cilëve, vajzë dhe djalë të moshës 16-17-vjeç, vdiqën në Spitalin e Pejës./Gazeta Enigma/