Agim Pllashniku, qytetari i cili protestoi ndaj deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli është ndaluar nga Policia e Kosovës.
Lajmin e ka konfirmuar vajza e tij, Sonila Pllashniku.
Ajo tha se babai i saj është duke u intervistuar nga Policia e Kosovës.
Pllashniku ka debatuar ashpër në shenjë proteste me deputeten Fitore Pacolli. Ngjarja ndodhi në një lokal në Prishtinë, ku deputetja Pacolli po qëndronte për kafe.
Pllashniku iu afrua asaj në shenjë proteste, duke e akuzuar publikisht për përfitime financiare nga shteti dhe i ka kërkuar që të ia paguajë faturën.
Qytetari e ka quajtur “hajne” deputeten Pacolli, pas raportimeve se organizata të cilën e themeloi bashkëshorti i saj Ilir Dalipi, mori 52 mijë euro nga Ministria e Kulturës.
“Paguma qit faturë se i ke ba milionat. A të kujtohet kur ju thojshe hajna atyne?”, i tha qytetari.
“Unë me ta pagu a?”, pyeti deputetja Pacolli duke ia hedhur faturën.
“Po ti paguaje. E ju çka jeni? Kit shtet pe vidhni. Hajne, hajne…”, thoshte qytetari.
Më pas deputetja u ngrit në këmbë duke e përmendur Policinë.
“Unë nuk s’utna ty edhe s’guxon as mem prekë.”, shtoi Pacolli.
Ende nuk ka një qëndrim zyrtar nga Policia e Kosovës lidhur me ndalimin dhe procedurat ndaj Pllashnikut.