Një autoritet lokal në Spanjën juglindore u ka ndaluar myslimanëve përdorimin e hapësirave publike për të festuar ditët e shenjta fetare, siç janë Fitër Bajrami dhe Kurban Bajrami.
Ndalimi në qytetin Jumilla, në Murcia, është i pari në Spanjë.
Propozimi u bë nga Partia Popullore Konservatore (PP) dhe u miratua me abstenimin e partisë së ekstremit të djathtë Vox dhe kundërshtimin e partive lokale të majta.
Propozimi thotë se “objektet sportive komunale nuk mund të përdoren për aktivitete fetare, kulturore ose shoqërore të huaja për identitetin tonë, përveç nëse organizohen nga autoriteti lokal”.
“Falë Vox, masa e parë për të ndaluar festivalet islamike në hapësirat publike të Spanjës është miratuar. Spanja është dhe do të jetë përgjithmonë vendi i njerëzve të krishterë”, u tha në njoftimin e partisë Vox.
Mounir Benjelloun Andaloussi Azhari, president i federatës spanjolle të organizatave islamike, tha se propozimi ishte “islamofobik dhe diskriminues”.
“Ata nuk po sulmojnë fetë e tjera, po sulmojnë tonat”, tha ai.
Duke iu referuar rritjes së fundit të retorikës dhe sulmeve raciste, ai shtoi: “Jemi mjaft të befasuar nga ajo që po ndodh në Spanjë. Për herë të parë në 30 vjet ndihem i frikësuar.”
Jumilla ka një popullsi prej rreth 27,000 banorësh, nga të cilët 7.5% vijnë nga vende kryesisht myslimane.
Vendimi me siguri do të kundërshtohet pasi bie ndesh me nenin 16 të kushtetutës spanjolle, i cili thotë: “Liria e ideologjisë, fesë dhe adhurimit nga individët dhe komunitetet është e garantuar, pa asnjë kufizim tjetër në shprehjen e tyre përveçse mund të jetë i nevojshëm për të ruajtur rendin publik siç mbrohet me ligj”.
Francisco Lucas, udhëheqësi socialist në Murcia, tha se vendimi shkel kushtetutën dhe e vë kohezionin social në rrezik, përcjellë Gazeta Enigma.
Juana Guardiola, një ish-kryebashkiake socialiste e Jumillas, pyeti: “Çfarë nënkuptojnë ata me identitet? Dhe çfarë mund të themi për shekujt e trashëgimisë myslimane këtu?”
Jumilla ishte pjesë e perandorisë romake deri në pushtimin arab në shekullin e tetë. Si Yumil-la, ajo mbeti një qytet kryesisht arab për shekuj me radhë derisa u sulmua nga trupat e krishtera të udhëhequra nga Alfonso X i Kastiljes në mesin e shekullit të 13-të.
Sundimtari arab vendas arriti një marrëveshje, të njohur si kapitullimet e Alkatrazit, sipas së cilës Alfonso mund të ishte mbret për sa kohë që respektoheshin të drejtat e popullsisë ekzistuese. Megjithatë, pak pas vdekjes së Alfonso-s, Kastilja pushtoi Jumillan, duke i dhënë fund sundimit arab.