Radoniqi për procesin e zgjedhjeve: I qetë dhe i rregullt, sonte dalin rezultatet preliminare

Radoniqi për procesin e zgjedhjeve: I qetë dhe i rregullt, sonte dalin rezultatet preliminare

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e ka vlerësuar të qetë e të rregullt procesin e zgjedhjeve të parakohshme paralamentare, derisa ka njoftuar se në shumë prej vendvotimeve ka filluar procesi i numërimit të fletëvotimeve të subjekteve politike për zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

 “Aktualisht në shumë prej vendvotimeve ka filluar numërimi i fletëvotimeve të subjekteve politike”, ka deklaruar Kreshnik Radoniqi, kryetar i KQZ-së në konferencën për media të orës 19:30.

“Besoj sonte rreth orës 22:30 apo 23:00 do të dalim me rezultatet preliminare, por do të ju njoftojmë me kohë kur do ta mbajmë konferencën e fundit për rezultatet preliminare”, deklaroi ai.

“Nga të dhënat preliminare që kemi marrë nga më shumë se 98% të vendvotimeve, numri i qytetarëve me të drejtë vote që kanë votuar deri në orën 19:00 është 819,859 votues apo 44.56%”, tha ai, ndërkaq në ueb-faqen e KQZ-së përditësimet po vazhdojnë nga minuti në minut dhe shifra ka tejkaluar 44,90% me mbi 898 mijë votues.

Sa i përket procesit të votave nga diaspora, Radoniqi tha se ato nga përfaqësitë diplomatike do të arrijnë gjatë javës së ardhshme, ndërkaq ato me postë deri më 5 janar. 

“Procesi i votimit me postë ka shkuar më ndryshe, ne i kemi dërguar përmes postës DHL fletëvotimet te ta. Të gjitha që i kemi pranuar në adresat tona ato do të tërhiqen dhe kthehen në Kosovë, më së voni do të ndodhë me 5 janar për shkak të festave të fundvitit dhe vikendeve, ku këto ditë nuk punon shërbimi postar. Sa i përket materialeve të votimit në përfaqësitë diplomatike, edhe këto materiale do të pranohen, por për to nuk ka datë të caktuar, megjithatë unë besoj që deri javën e ardhshme do të arrijnë të gjitha në Kosovë”, tha ai.

Radoniqi përmendi edhe ndërprerjet e energjisë elektrike në tri komuna gjatë ditës së sotme.

“Pas konferencës së pasdites kemi pasur tri raportime për ndërprerje të energjisë elektrike në tri qendra të votimit, në Rahovec, Dragash dhe Han të Elezit. Menjëherë është njoftuar KEDS dhe energjia elektrike është rikthyer shumë shpejt. Energjia ka munguar prej pesë deri në shtatë minuta”, tha ai.

Ai tha se procesi zgjedhor në tërësi vlerësohet si i qetë, i rregullt dhe në përputhje me kërkesat ligjore.

Related Articles