Rafuna kërkon pezullimin kalimit në tregun e lirë energjetik deri në shkurt 2026

Rafuna kërkon pezullimin kalimit në tregun e lirë energjetik deri në shkurt 2026

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Lulzim Rafuna, ka kërkuar nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) që të pezullojë zbatimin e vendimit për kalimin në Tregun e Lirë të energjisë elektrike, të paktën deri më 1 shkurt 2026.

Në një konferencë për media të mbajtur të hënën, Rafuna shprehu shqetësimin e komunitetit të biznesit, duke theksuar se vendimi i ZRRE-së po ndikon negativisht në prodhim, eksport dhe konkurrencën e bizneseve vendore.

“Pasojat tashmë kanë filluar të ndihen. Importi është rritur për 12 për qind, eksporti ka filluar të bie, dhe çmimi i prodhimeve vendore pritet të rritet për shkak të kostos më të lartë të energjisë. Bizneset nuk kanë pasur oferta të shumta për furnizim me energji elektrike dhe janë të detyruara të lidhin marrëveshje që nuk janë në favor të tyre,” tha Rafuna.

Ai theksoi se vendimi i ZRRE-së është i parakohshëm dhe i pambështetur me mekanizmat e duhur për të garantuar konkurrencë reale në treg. “Ky vendim nuk i ndihmon bizneseve, përkundrazi, i dëmton ato në kohë të vështira. Prandaj kërkojmë pezullimin e tij deri më 1 shkurt 2026, në mënyrë që të krijohen kushtet reale për një treg të lirë dhe funksional”,  shtoi ai.

Rafuna paralajmëroi se OEK do të përdorë të gjitha mjetet ligjore për ta kundërshtuar këtë vendim dhe bëri thirrje për përfshirjen e Kuvendit të Kosovës në këtë çështje.

“Ne nuk do të ndalemi. Do të luftojmë në mënyrë ligjore për një vendim të drejtë. Bizneset nuk janë kundër tregut të lirë, por duan të operojnë në një ambient ku ka konkurrencë reale dhe oferta të qëndrueshme”, shtoi Rafuna.

Related Articles