Drejtori i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Lulzim Rafuna, ka thënë se nuk ka indikacione që do të ketë largime masive pasi të liberalizohen vizat për qytetarët e Kosovës.
Rafuna ka thënë se ata që kanë ndarë mendjen për t’u larguar nga vendi deri më tani kanë gjetur alternativa për ta bërë këtë.
“Nuk janë pritjet se do të ketë largime të mëdha. Ata që kanë pasur në plan të largohen tashmë këtë e kanë bërë”.
I pari i OEK-ut megjithatë ka thënë se qytetarët duhet të kenë kujdes pasi vizat që po liberalizohen do të jenë vetëm për turizëm.
“Dënimet janë shumë të larta si për individin që shkel rregullat ashtu edhe për institucionet e vendit nëse ka keqpërdorime. Besoj si turistë mund të lidhin kontakte me ndonjë punëdhënës në mënyrë që pasi të kthehen të aplikojnë siç realizohet edhe sot”.
Ai thotë se duhet një strategji kombëtare për të adresuar këto probleme.
“Institucionet duhet të jenë më të shpejta për të ndërtuar strategji për të ndalur të rinjtë që të largohen nga Kosova. Poashtu duhet t’i kthejmë ata që kanë filluar punë jashtë vendit apo kanë hapur biznese jashtë vendit të kthehen në vend, tha ai për Telegrafin.
“Ne kemi shumë nevojë për zhvillim. Nëse vendet tjera punojnë tetë orë në ditë, ne duhet të punojmë 16 orë pasi jemi shtet i ri dhe kemi filluar gjithçka nga zeroja”.
Rafuna thotë se migrimi në masë të madhe ka ndodhur nga gjinia mashkullore e që sipas tij kjo mund të shkaktojë probleme me natalitet.