Kryetari i Degës së PDK-së në Zvicër, Ragip Xhaka, ka reaguar për ndërhyrjen që po përpiqet ta bëjë kryeministri Albin Kurti në zgjedhjet e shtetit zviceran.
Xhaka ka thënë se shqiptarët në Zvicër, përmes punës dhe kontributit ka vite që janë pjesë e rëndësishme dhe përbërëse e këtij shteti.
“Përfshirja e partive politike të Kosovës në zgjedhjet zvicerane, në rastin konkret e Kryeministrit të Kosovës, nuk i shërben kësaj harmonie. Në fakt, kjo ndërhyrje mund të jetë vetëm e dëmshme, duke hutuar mërgatën dhe përçarë opinionin”, ka shkruar Xhaka.
Tutje, ai tha se bashkatdhetarët tanë duan dhe duhet të jenë të lirë që të votojnë sipas bindjeve të tyre.
“Është e drejtë legjitime dhe e patjetërsueshme, për secilin shqiptar që jeton në Zvicër, që të mbështesë këdo prej kandidatëve nga të gjitha partitë që marrin pjesë në zgjedhje. Është fat i mirë që çdo ditë e më shumë po rritet numri i kandidatëve shqiptarë për poste politike“, shkroi Xhaka.