Rahoveci e shpall “non grata” Igor Popoviqin pas deklaratave fyese ndaj UÇK-së

Rahoveci e shpall “non grata” Igor Popoviqin pas deklaratave fyese ndaj UÇK-së

Kuvendi Komunal i Rahovecit, në mbledhjen e mbajtur të enjten, miratoi një deklaratë dënuese ndaj gjuhës së përdorur nga ndihmësdrejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Igor Popoviq, të bërë gjatë javës së kaluar në fshatin Hoçë e Madhe të Rahovecit kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Deklarata përmes së cilës shpallet Popoviqi person “non grata” u miratua unanimisht nga të gjitha partitë që janë pjesë e Kuvendit.

Kryetari i Komunës, Smajl Latifi, prezantoi deklaratën para asambleistëve, duke theksuar rëndësinë e saj për mbrojtjen e vlerave të luftës çlirimtare.

“Në emër të qytetarëve të Komunës së Rahovecit, ne përfaqësuesit e Kuvendit Komunal shprehim shqetësimin ndaj deklaratave fyese dhe tendencioze të Igor Popoviq të bëra gjatë vizitës së tij në fshatin Hoçë e Madhe në Rahovec. Këto deklarata përbëjnë një sulm të drejtpërdrejtë ndaj historisë sonë. Ato përpiqen të njollosin luftën e drejtë dhe të lavdishme të UÇK-së”.

“Në një shtet demokratik e sovran, që ka punuar fort për paqen e përgjithshme të qytetarëve të tij pa dallime etnie, ngjyre e feje, një person me gjuhë të urrejtjes e të përçarjes, është i padëshirueshëm, për komunën tonë është person “non grata”. Inkurajojmë bashkëqytetarët tanë të Hoçës së Madhe dhe përfaqësuesit e këtij fshati, të distancohen nga kjo gjuhë e papranueshme”, thuhet mes tjerash në deklaratë.

Related Articles