Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, pas takimit me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se serbët nuk mund ta tolerojnë “terrorin e Prishtinës” dhe paralajmëroi protesta në të gjitha institucionet.
Ai në një konferencën për media ka theksuar se në Bruksel nuk është arritur asnjë marrëveshje, “për të cilën është përgjegjëse Kosova, gjë që mund të dëgjohet edhe nga përfaqësuesit ndërkombëtarë. Të gjithë ata që bëjnë thirrje për vetëpërmbajtje sot e dinë se cila është ana destruktive”, ka pretenduar Rakiq.
“Ne duam vetëm paqe. Askujt nuk i përgjigjet kur flasim për Asociacionin. Ne kërkojmë vetëm të zbatohen marrëveshjet e nënshkruara. Duam të jetojmë në paqe, të ndihemi se jemi në vendin tonë dhe të qëndrojmë në vatrat tona shekullore”, ka thënë ai.
Ai ka shtuar se serbët nuk duan të vuajnë “terrorin e Prishtinës”.
“Ne nuk kemi ku të shkojmë dhe shpresoj se nuk do të duhet të mbrohemi. Njerëzit nuk mund të tolerojnë më “torturat” që po bën Prishtina. Do të kemi protesta në shkolla, qendra shëndetësore dhe në të gjitha institucionet e tjera. Populli pyet pse duhet të paguajmë haraç, ne turqve nuk ua kemi paguar dhe nuk do t’ia paguajmë as Kurtit”, ka përfunduar Rakiq.