Qeveria shqiptare e ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese ankimin ndaj vendimit të GJKKO për të pezulluar nga detyra Belinda Ballukun si zv.kryeministre dhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë.
Veprimi vjen pas deklaratës së kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, i cili gjatë konferencës së përbashkët me komisioneren Marta Kos në Tiranë, pas Samitit të Planit të Rritjes së BE, tha se çështja do të dërgohet në Kushtetuese.
Në kërkesën e Kryeministrisë theksohet se vendimi i GJKKO-së ka krijuar një konflikt kompetencash ndërmjet Kryeministrit dhe Këshillit të Ministrave, nga njëra anë, dhe gjykatës së posaçme, nga ana tjetër.
Kështu, qeveria kërkon:
1.Zgjidhjen e mosmarrëveshjes së kompetencës së krijuar ndërmjet Kryeministrit dhe Këshillit të Ministrave, nga njëra anë, dhe Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), nga ana tjetër, lidhur me pezullimin e ushtrimit të detyrës së anëtarit të Këshillit të Ministrave.
2. Shfuqizimin e vendimit nr.118, datë 19.11.2025, të GjKKO-së, për pjesën që ka disponuar vendosjen e masës ndaluese të pezullimit të ushtrimit të detyrës së Zëvendëskryeministrit dhe Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, si një akt që cenon garancinë e imunitetit të anëtarit të Këshillit të Ministrave, parimin e ndarjes së pushteteve dhe kompetencat e organeve, që Kushtetuta ka caktuar si autoritete, që propozojnë, emërojnë dhe miratojnë ministrat në detyrë.
3. Pezullimin e efekteve të vendimit të mësipërm të GJKKO-së, deri në përfundimin e gjykimit të kësaj kërkese nga Gjykata Kushtetuese.
4. Interpretimin e pikës 3, të nenit 103, të Kushtetutës, në kuptimin që “Anëtari i Këshillit të Ministrave, duke gëzuar imunitetin e deputetit, përfiton nga të gjitha garancitë procedurale, që i njeh jo vetëm Kushtetuta këtij të fundit, por edhe legjislacioni procedural penal.”
Rama tha se e respektojnë vendimin e gjykatës, por shtoi se do e çojnë në Kushtetuese pasi sipas tij ishte një cenim i pushtetit të ekzekutivit.
“Pezullimi është vendim i një gjykate që ne do ta përcjellim në Gjykatën Kushtetuese, si një akt brutal ndërhyrjeje në pavarësinë e Pushtetit Ekzekutiv dhe Gjykata Kushtetuese do duhet të na thotë se cili është qëndrimi i saj bazuar mbi Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Pra, nuk jemi në kushtet, kur duke ndërhyrë me forcë në pavarësinë e ekzekutivit, mund të diktohet ndonjë lëvizje e qeverisë. Kështu që, për periudhën që flasim, qeveria e Shqipërisë nuk ka zëvendës kryeministër dhe nuk ka një ministër të infrastrukturës dhe energjisë, që funksionon”, tha Rama.
