Rama dorëzon kallëzim penal ndaj Inspektoratit për Trashëgimi Kulturore

Rama dorëzon kallëzim penal ndaj Inspektoratit për Trashëgimi Kulturore

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, njoftoi se është iniciuar kallëzim penal ndaj Inspektoratit për Trashëgimi Kulturore, duke thënë se ky institucion i ka bllokuar të gjitha projektet transformuese.

Ai ka shkruar në Facebook se “përpjekjet për të punuar në interes të qytetarëve janë penguar nga strukturat qeveritare”, derisa u shpreh se kjo është bërë për arsye politike e për interesa të ngushta.

Rama ka thënë të hënën se do të veprojnë me vendosmëri ndaj secilit që guxon të shkelë ligjin dhe të cenojë të ardhmen e qytetarëve të Prishtinës.

Më 12 mars, Inspektorati për Trashëgimi Kulturore ia kishte ndaluar Ramës punimet në sheshin “Xhorxh Bush” pasi s’kishte bërë kërkesën për miratim të projektit tek Instituti i Kosovës për Mbrojtje të Monumenteve, me ç’rast ishin ndaluar punimet për projektin që peshon 18.4 milionë euro.

Inspektorati kishte vendosur shirita dhe shenja zyrtare për ndalim të punimeve, derisa i kërkonte Komunës së Prishtinës që të merrte leje në një afat prej 30 ditësh. Komuna më pas ka dorëzuar në Institut projektin për shtatë fazat e punimeve në shesh.

Ligji për Trashëgimi Kulturore përcakton se në situata ku zhvillohen punime afër monumenteve duhet leje me shkrim.

“Cilado ndërhyrje qё ndikon nё tërësinë ose vlerat e trashëgimisë kulturore, kërkon leje të shkruar nga institucioni kompetent”, përcaktohet në nenin 4 të Ligjit për Trashëgimi Kulturore. Aty po ashtu bëhet e ditur se institucioni kompetent urdhëron ndaljen e menjëhershme për një periudhë të pacaktuar kohore të çdo lloj pune të paautorizuar në trashëgiminë kulturore.

Related Articles