Rama e Berisha vazhdojnë me fushatë, njëri në Vlorë e tjetri në Selanik

Rama e Berisha vazhdojnë me fushatë, njëri në Vlorë e tjetri në Selanik

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe kundërshtari i tij në zgjedhjet e 11 majit, kanë vazhduar me fushatën e tyre, në përpjekje për fitore.

Edi Rama, në një tubim të fushatës zgjedhore ka kërkuar votën e vlonjatëve.

Ai ka thënë se Vlora duhet të thyejë rekord të votimit më 11 maj.

“Gjithë Shqipëria ka probleme, por nëse të gjitha qytetet kanë bërë përparimet e tyre, unë po them që në çdo qytet që shkoj, gjëja që më thonë është a do bëhet qyteti ynë si Vlora? Unë e di që Vlora nuk është vetëm Lungomarja, nuk është vetëm bulevardi, nuk është vetëm lagjet e transformuara. Ka akoma zona brenda saj ku duket sikur nuk ka ardhur akoma ndryshimi. Por di dhe një gjë tjetër, nëse ka burra dhe djem që në ditën e votimit duhet të çojnë të shkojnë të votojnë, janë burrat dhe djemtë e Vlorës dhe patjetër gratë dhe vajzat. Nëse doni më shumë për Vlorën, atëherë unë dua më shumë nga Vlora më 11 maj”, tha Rama.

Ndërkohë, kryetari i Partisë Demokratike në Shqipëri,  Sali Berisha, ka zhvilluar një takim me shqiptarët që jetojnë në Selanik të Greqisë, në kuadër të fushatës elektorale për zgjedhjet e 11 majit.

Ai e cilësoi qëndrimin e shqiptarëve më 11 maj shpëtimtar dhe vendimtar për të ardhmen e kombit.

“Të dashur miq, qëndrimi i shqiptarëve në 11 maj është shpëtimtar, është vendimtar për të sotmen dhe të ardhmen e kombit tonë. Ju lutem, mendoni për një moment ku jemi ne sot, shqiptarët? Se çfarë të ardhme kemi ne sot? Një komb, i cili nga viti 2019 e gjer sot ka më shumë vdekje se lindje. Një komb, i cili sipas OKB, javën e kaluar ka, për shkak të emigracionit, lindshmërinë më të ulët në botë. Një komb, i cili në qytetin e Ersekës, dy vite më parë pati vetëm një lindje. Një komb që, shkollat i mbyllen njëra pas tjetrës. U shndërruan shkollat miq, si dikur zyrat e kooperativës bujqësore, kur ra sistemi i kolektivizimit dhe ato u mbyllën se ishin të këqija, dhe duheshin mbyllur”, u shpreh Berisha.

Related Articles