Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, foli për arsyet e shkarkimit të kryeshefit ekzekutiv të kompanisë “Pastrimi”, ku ndër të tjera tha se kohëve të fundit gjendja në kryeqytet është përkeqësuar dukshëm sa i përket pastrimit.
Rama e sqaroi edhe gjendjen aktuale, në të cilën gjendet kompania publike, e cila merret me grumbullimin, bartjen dhe menaxhimin e mbeturinave.
“Siç e keni parë, gjendja në kryeqytet është përkeqësuar muajve të fundit. E tillë ka qenë edhe më përpara. Kompania ‘Pastrimi’ është gjetur me probleme të shumta, me kredi, borxhe të shumta ndaj deponisë së mbeturinave dhe me parregullsi te të punësuarit”.
“Për fat të keq ka pasur shumë parregullsi. Prandaj, për këtë arsye bordi ka marrë vendim që të shkarkohet kryeshefi i kompanisë ‘Pastrimi’”, tha ai për RTK-në.
Rama më tej deklaroi se edhe më herët ka pasur tentativa për shkarkim të Burim Kelmendit nga pozita e kryeshefit ekzekutiv të kompanisë “Pastrimi”.
“Por, për fat të keq, kemi pasur sabotime të shumta nga personat e ndryshëm që kanë qenë në bord”, tha ai.