Rama i reagon ministrit Çeku: Nuk ia kam atribuuar vetes meritat për Lojërat Mesdhetare

Rama i reagon ministrit Çeku: Nuk ia kam atribuuar vetes meritat për Lojërat Mesdhetare

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama ka postuar një status në Facebook ku ka thënë se ai në asnjë moment nuk ka tentuar të marrë meritat për organizimin e Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030

Rama ka thënë se i ka marrë me keqardhje akuzat e pavërteta dhe të pakuptimta të Ministrisë së Kulturës, Rinisë e Sporteve – konkretisht ministrit që drejton atë, Hajrullah Çekut.

“Me keqardhje kam dëgjuar akuzat e pavërteta e të pakuptimta të Ministrit të Kulturës, Rinisë e Sporteve, Hajrullah Çekut rreth marrjes të së drejtës për organizimin e Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030”, ka thënë fillimisht ai në reagimin e tij.

“Dua t’ua bëj të qartë qytetarëve të Republikës së Kosovës se unë në asnjë moment nuk kam marrë meritat për suksesin rreth organizimit të Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030. Në asnjë prej deklarimeve të mia publike e private nuk kam thënë diçka të tillë”, ka sqaruar tutje i pari i Prishtinës.

Sipas tij, ai në çdo prononcim ka falënderuar publikisht duke i dhënë meritat kryesore për këtë sukses “Komitetit Olimpik të Kosovës, në krye me Kryetarin Ismet Krasniqin dhe Sekretarin Besim Aliti”.

Related Articles