Në një konferencë të përbashkët për shtyp me kryeministren italiane Giorgia Meloni, në Romë, kryeministri Edi Rama e cilësoi takimin mes dy qeverive si një “ditë historike” në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Italisë.
Rama theksoi se për herë të parë dy qeveritë po ulen së bashku për të diskutuar projekte konkrete të përbashkëta, duke përfshirë bashkëpunimin ekonomik, mbrojtës dhe procesin e integrimit evropian.
Kreu i qeverisë shqiptare vlerësoi mbështetjen e Italisë si “motrës së madhe” në rrugën e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian dhe nënvizoi rolin e posaçëm të Romës në fazën e ardhshme të negociatave.
“Në vitin 2028, kur Italia do të mbajë kryesinë e Këshillit Evropian, do të jemi në duar të sigurta,” – u shpreh Rama, duke theksuar se Shqipëria është gati të përfundojë negociatat teknike dhe të nisin ato politike nën drejtimin e Giorgia Melonit, shkruan euronews.al.
“Do të ishte me te vërtetë qershia mbi tortë nëse në vitin 2028, vit në të cilin Italia do të marrë kryesinë e Këshillit Europian dhe kur Giorgia do të mbajë rolin e dyfishtë atë të kryeministrit të Italisë dhe atë presidentit të Këshillit Europian, po qeshni, por koha do të kalojë dhe do ta shihni që unë kam gjithmonë të drejtë. Dhe kështu pasi të kemi përfunduar negociatat teknike, në fund të 2028-ës do të mund të nisim puënën për negociatat politike. Nëse duke nisur punën për këto negociata përgjegjësia do të jetë e Giorgias, do të thotë për ne që do të jemi në duart më të mira të mundshme që të mund të hapim atë derë e cila qëndron e mbyllur prej nesh prej qindra vitesh. Dhe ne, siç thashë edhe gjatë mbledhjes, e kam thënë këtë edhe në raste të tjera, ne jemi gati të bëjmë një marrëveshje me Bashkimin Europian për të mos përdorur as veton dhe as votën, nuk na intereson. Ne jemi ithtarë fanatikë të vlerës europiane dhe nuk kemi asnjë qëllim, asnjë mendje të vendosim veto dhe do të thotë që jemi gati të nënshkruajmë që mund të përfaqësohemi nga komisari europian italian. Ddo të ishte shumë të të kishim ty komisar për të njëjtin vend pasi jemi i njëjti vend. Ju falënderoj shumë dhe jam vërtetë i nderuar dhe mirënjohës për gjithë sa po bëjmë së bashku, por sidomos për këtë mikpritje të jashtëzakonshme”, tha Rama.
