Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka thënë se Qeveria e Kosovës nuk është duke e ndarë me kohë buxhetin për nivelin lokal të vendit.
Ai, në tryezën e sotme të organizuar nga LDK-ja për buxhetin e vitit 2024, ka thënë se nuk ka edhe projekte të mjaftueshme nga Qeveria për kryeqytetin.
“Qasja në buxhetin që bartet nga niveli qendror në atë lokal, kemi pasë dy vite me radhë, vitin e kaluar është bartur vonë në korrik, një pjesë është bartur edhe në nëntor. Është bartje e buxhetit në një kohë kur nuk të lë të veprosh, e dimë se aspektet prokurimit kërkojnë kohë, mjetet munden të barten nga 15 prilli, ju lutem që të bëhet edhe kjo kërkesë e cila është etike për qytetin.”
“Nëse nuk i kemi fondet me kohë krijon probleme në zbatimin e projekteve që i kemi në proces. Pikë tjetër është mungesa e projekteve në kryeqytet për kryeqytetin është shtëpia e numrit më të madh të bizneseve, taksapaguesve të Kosovës, duhet me pasë një prioritet”, ka thënë Rama.
Ai ka shtuar se duhet edhe mbështetja për projektet infrastrukturore në masë të madhe për Unazën e Re.