Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka folur mbi bashkëpunimin e tij me nivelin qendror, duke thënë se ka një hezitim të ministrave të Qeverisë Kurti që të bashkëpunojnë në projektet për kryeqytetin.
Rama madje tha se Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, nuk e ka pranuar atë si pjesë të jurisë për përzgjedhjen e fituesit të projektit për ndërtimin e Teatrit të Operës dhe Baletit, duke e përjashtuar kështu plotësisht nga procesi.
“Platforma Arbëri me Pallat të Rinisë, qysh para një viti jemi marrë vesh me Ministrinë e Kulturës që ajo të jetë pika, ose pjesa ku do të bëhet baleti dhe opera dhe pika zero të merret Pallati i Rinisë që të ndërlidhet Pallati i Rinisë së bashku me Arbërinë, pra për projektin tashmë janë tri propozime dhe është dashur të zgjidhet fituesi dhe të vazhdohen punimet”.
“Kam kërkuar të jem pjesë e jurisë së këtij projekti ku ministria e ka iniciuar këtë konkurs ndërkombëtar, për fat të keq nuk më kanë ftu, kam qenë i përjashtuar nga procesi, absolutisht nuk e kuptoj, unë përveç që jam kryetar i kryeqytetit jam arkitekt, jam urbanist, eksperienca ime globale në konkurse ndërkombëtare është e madhe, i plotësoj të gjitha kushtet dhe kam bërë kërkesë, por nuk jam ftuar të jem pjesë e konkursit, i kam pyetur përse por është arsyetim i pabazë që unë nuk e kuptoj”, tha Rama në Klan Kosova.
I pari i Prishtinës tha se ka bashkëpunim me ministrin e Infrastrukturës, Liburn Aliu.
“Qe dy vite kam qenë super pro-aktiv, u kam ofruar bashkëpunim të mirëfilltë në çdo sferë të gjitha ministrive, qeverisë në total në çdo sferë, kam kërkuar bashkëpunim të mirëfilltë dhe me i shty gjërat përpara, kam pasur bashkëpunim të mirëfilltë me Ministrinë e Infrastrukturës, po ashtu kam pasur bashkëpunim edhe me Ministrinë e Kulturës, por gjërat kanë ndryshuar”, tha Rama.