Kryetari i Prishtinës, Perparim Rama, ka komentuar deklaratën e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, lidhur me shpërndarjen e buxhetit për komunat e Kosovës.
Rama ka theksuar se mënyra se si Kurti vendos se cilat komuna do të marrin fonde dhe cilat jo tregon një qasje autokratike dhe një mungesë respekti ndaj institucioneve dhe qytetarëve.
Në Debat Plus, Rama ka kritikuar Kurtin për vendimet e tij të njëanshme, duke e përshkruar si një person që mendon se është mbi të gjithë dhe vendos se kush është i mirë, i pastër apo i aftë.
Ai tha se ky qasje nuk ka të bëjë me politikën, por me një mentalitet sektar, ku një individ vendos për të gjithë qytetarët dhe historinë e tyre.
“Ja ku e keni pra një autokrat. I gjithëdijshmi, që vendos ai vetë kusho po dijka, kush po dojka, kosh s’po dojka, kush po vjedhka, kush qenka hajn, kush qenka i pafytyrë e kush qenka i pastër.
D.m.th. i gjithëdijshmi po vendos aty, kujt duhet me i dhënë buxheti e kujt jo… a po e sheh me çfarë njerëz kemi të bëjmë, nuk është as parti politike është një sekt. Njerëz që mendojnë se janë mbi të gjithë. Që këta janë Zoti dhe vendosin për të gjithë ne të varfërit. Ne që s’dimë, ne hajnat, të korruptuarit. Se këta qenkan të pastër, se janë të Zotit. Dhe këta vendosin kush është i mirë. Këta vendonin se UÇK-ja a qenka e mirë apo jo. Heronjtë, Ramush Haradinaj, qenka me Listën Serbe, njeriu që ka luftuar. Këta vendosin, kush po iu tregon këtyre? A po merr vendim Dejona Mihali po më duket. Kush po iu tregon për popullin tonë kush qenka i mirë?”, ka thënë Rama.
