Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, thotë se qeveria ka vendosur të ndërhyjë përmes një akti normativ për të kontrolluar çmimin e karburantit.
Në një video-konferencë nga Kryeministria duke iu përgjigjur shqetësimeve të qytetarëve, Kryeministri bëri të ditur se brenda 48 orësh do të krijohet një bord kombëtar i administrimit të karburantit ku së bashku me furnizuesit do të përcaktohen çmimet e kontrolluara të naftës.
“Ne do të ndërhyjmë për të frenuar çdo tendencë spekulative me çmimin e naftës duke krijuar brenda 48 orësh me një akt normativ me fuqinë e ligjit në një kuadër veprimtarie të jashtëzakonshme një bord kombëtar të administrimit të karburantit ku furnizuesit e vendit do të jenë në bord me qeverinë për të bërë transparencë me çmimet”, ka thënë Rama.
Tutje ai ka shtuar se “marzhi do përcaktohet në atë tavolinë dhe ku do flitet për të gjitha aspektet që nga grumbullimi, shfrytëzimi deri te pika fundore e shitjes deri në një moment të dytë sipas dinamikës së kësaj lufte. Nuk do lejojmë që në pikën e furnizimit të shfaqen çmime të pamiratuara më parë në bordin e administrimit të karburanti”.
Për të normalizuar çmimet e rritura në tërësi si pasojë e luftës mes Rusisë dhe Ukrainës, Kryeministri bëri të ditur gjithashtu se do të prezantohet gjatë 48 orëve të ardhshme plani kombëtar i qeverisë për këtë problem, raporton tvklan, përcjell Gazeta Enigma.