Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar për përfundimin me sukses të njërit prej projekteve më të rëndësishme infrastrukturore në zonën e Rrugës B – hapjen e kanalit të ri të kanalizimit.
“Një prej problemeve më të mëdha në Rrugën B, tashmë është zgjidhur! E kemi hapur kanalin e ri të kanalizimit, duke i dhënë fund një problemi të vjetër për banorët e kësaj zone”, ka deklaruar Rama përmes një postimi në rrjete sociale.
Sipas tij, ky intervenim përveç përmirësimit të rrjetit të kanalizimit, do të ndikojë drejtpërdrejt në rritjen e cilësisë së jetës për banorët dhe qytetarët që qarkullojnë përditë në këtë pjesë të qytetit.
Kryetari ka paralajmëruar edhe projekte të tjera infrastrukturore, të cilat do të fokusohen në zgjidhjen e problemeve të trashëguara dhe modernizimin e kryeqytetit.